Armend Zemaj i Lidhjes Demokratike të Kosovës i prin listës së deputetëve që janë kompensuar më së shumti për udhëtimet për pjesëmarrje në seanca plenare e komisione parlamentare në 11 vjetët e fundit.
Sipas të dhënave të publikuara nga Kuvendi i Kosovës dhe përllogaritjeve që u ka bërë KOHA, Zemaj është kompensuar me 25 mijë e 50 euro për udhëtime.
Pas tij, deputetja që është kompensuar më së shumti për udhëtime në këtë periudhë është Duda Balje me 24 mijë e 993 euro.
Teuta Haxhiu e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për 11 vjet u kompensua me 24 mijë e 210 euro. Deputetja tjetër e AAK-së, Time Kadrijaj, është e katërta me 23 mijë e 790 euro të kompensuara.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, është kompensuar me 22 mijë e 800 euro për periudhën sa ishte deputet, deri më 2019. Për të njëjtën periudhë, ish-deputetja Safete Hadërgjonaj u kompensua me 19 mijë e 50 euro.
Dy deputetët nga radhët e komuniteteve, Albert Kinolli dhe Fikrim Damka, vazhdojnë listën me 17 mijë e 760 euro, përkatësisht 16 mijë e 679 euro të kompensuara.
Anton Quni i Lidhjes Demokratike të Kosovës është kompensuar me 16 mijë e 110 euro për këta 11 vjet.
Jelena Bontic mbyll top-dhjetëshen me 15 mijë e 520 euro të kompensuara për periudhën 2011-2019.
Kuvendi i Kosovës të martën publikoi listat me shpenzime të udhëtimit të deputetëve për periudhën 2011-2021. Deputetët kompensohen për udhëtime bazuar në vendimin e ish-kryetarit të Kuvendit, të marrë më 10 tetor 2011. Aty parashihet kompensimi për shpenzime të udhëtimit me 10 euro deri në 30 kilometra rrugë, 20 euro për deri në 60 kilometra rrugë dhe 30 euro për mbi 60 kilometra rrugë.
Nga listat, KOHA ka parë se janë kompensuar për udhëtim më shumë se 230 deputetë.