Gjykata Themelore në Mitrovicë ka miratuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj Riad Tahirit, të dyshuar për mbajtje dhe posedim të paautorizuar të armës së zjarrit, e cila më pas është konfirmuar si armë zyrtare e vjedhur nga ambientet e Policisë në Mitrovicë të Jugut.

Ngjarja ka ndodhur më 2 maj 2025, kur gjatë një kontrolli trupor, të dyshuarit iu gjet një pistoletë e tipit Glock me numër serik 5482, e cila ishte e fshehur nën pantallona, në këmbën e djathtë, me 15 fishekë në karikator.

Hetimet e mëvonshme kanë konfirmuar se arma në fjalë i përkiste një zyrtari policor dhe ishte vjedhur nga stacioni policor në Mitrovicë të Jugut, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë brenda vetë sistemit të rendit.

Sipas burimeve të Sinjalit, vendimin për paraburgim e ka marrë gjyqtarja Marigona Lajqi, e cila ka vlerësuar se ekziston rrezik real i përsëritjes së veprës penale.

Prokuroria paraprakisht kishte iniciuar rastin për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërkohë që paraburgimi është caktuar për të mundësuar vazhdimin pa pengesa të procedurës dhe parandaluar përseritja e veprës penale nga i pandehuri.

Sinjali do të vijojë të raportojë për çdo zhvillim të mëtejmë në lidhje me këtë rast.

Related Posts