Edhe nëse 444 kontribues të regjistruar në Fondin e Kursimeve Pensionale (FKPK) tërheqin 10% të mjeteve të kursyera në këtë fond, nuk e kalojnë shumën e pagës mujore të drejtorit të FKPK-së, Adrian Zalli.
Teksa 166 mijë kontribues në Trustin Pensional mund të marrin nga vetëm 9 euro përmes ndryshimit të Ligjit për FKPK-në, drejtori i këtij fondi përfiton pagë mujore prej mbi 4 mijë eurove në muaj.
Sipas të dhënave zyrtare, saktësisht 166 mijë e 900 kontribues në Foondin Pensional të Kosovës kanë 0 deri në 250 euro të kursyera në fond. Mesatarisht, ata mund të tërheqin rreth 9 euro nga Trusti.
Kësisoj, shuma që 444 kosovarë mund të përfitojnë nga tërheqja e 10 për qind të mjeteve të kursyera të tyre në Fondin Pensional, është e barasvlefshme me pagën mujore të drejtorit të FKPK-së.
Sipas deklarimit të pasurisë pranë Agjencisë Kundër-Korrupsion, Adrian Zalli përfiton pagë vjetore prej 49,708.00 euro nga puna si drejtor në Fondin Pensional. Merr rreth 4 mijë euro në muaj.
Ndryshimi i Ligjit për FKPK-në, i cila është paraparë me Ligjin për Rimekëmbje Ekonomike të cilin e miratoi Kuvendi i Kosovës me preteksin për ofrimin e ndihmës ndaj ekonomisë së vendit të goditur nga pandemia, pritet të ofrojë ndihmesë të zbehtë financiare për shumicën e qytetarëve.
Siç ka raportuar të hënën Gazeta Infokusi, më shumë se gjysma e qytetarëve të regjistruar në Fondin Pensional, do të mund të përfitojnë nga vetëm 31 euro nga tërheqja e mjeteve në Trust.
Ndërkaq, i cili është zyrtari më i paguar publik në Kosovë, tash e 14 vjet merr pagë të lartë nga puna si shef i Fondit Pensional. Në vitin 2018, sipas deklarimit të pasurisë, ai përfitonte mbi 5 mijë euro nga paga mujore. Dy vitet e fundit, ia ka zbritur pagën vetes. Përfiton më pak se pesë mijë euro, por më shumë se katër mijë sosh.
Pas shumë përpjekjesh, Ligji për Rimekëmbjen u miratua të premten me votat e deputetëve të partive të mazhorancës dhe ato të ligjvënësve të Partisë Demokratike të Kosovës.
Deputetët nga PDK votuan pro kësaj pakoje pasi qeveria pranoi disa nga amandamentet që u propozuan prej këtij subjekti politik. Njëra nga amandamentet parasheh rimbursimin e mjeteve të tërhequra nga Trusti për kontribuesit që kanë më pak se 10,000.00 euro të kursyera.
Me gjithsej 72 vota, u kalua edhe amandamenti i kësaj pakoje i cili parasheh tërheqjen 10% mjeteve të Trustit nga rreth 629 mijë e 96 kontribuuesve që i ka Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës.
U.D e Presidentit dekretoi Ligjin në ditën e miratimit të tij në Kuvendin e Kosovës, derisa i njëjti hyri në fuqi të hënën.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, njoftoi sot në një konferencë shtypi se aplikimi për tërheqjen e 10 për qind të mjeteve të Fondit Pensional do të vihet në dispozicion të qytetarëve nga e premtja e 11 dhjetorit. /Insajderi.org