Policia e Kosovës ka shtuar kontrollet në rrugët e Gjakovës me qëllim rritjen e sigurisë dhe parandalimin e aksidenteve.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, përmes Njësisë së Trafikut Rrugor, gjatë katër ditëve të fundit ka realizuar aksione në kuadër të planit operativ “Alkooli” dhe Task-Forcës për sigurinë rrugore, për të ndaluar drejtimin e automjeteve nën ndikimin e alkoolit.
Sipas Policisë, gjatë kësaj periudhe janë testuar 385 drejtues mjetesh, ndërsa 63 prej tyre janë kapur duke drejtuar automjetin nën ndikimin e alkoolit, gjë që bie ndesh me normat ligjore.
Për këta shoferë janë shqiptuar gjoba dhe masa mbrojtëse të ndalimit të drejtimit të automjetit, ndërsa patentë-shoferët u janë konfiskuar përkohësisht, sipas afateve ligjore.
Krahas kontrolleve, Policia njofton se po zhvillon edhe aktivitete vetëdijesuese në kuadër të planit “Sezoni Veror”, duke synuar reduktimin e shkeljeve më të rrezikshme për jetën e qytetarëve, si: ngasja me shpejtësi të lartë, tejkalimet e rrezikshme, përdorimi i telefonit gjatë vozitjes, mosvendosja e rripit të sigurisë dhe helmetës mbrojtëse.
























