Një llotari në Francë do t’i jape mundësinë një personi për të fituar një portret të Pablo Picasso me çmimin e një bilete prej 100 eurosh. Të ardhurat nga biletat do të shkojnë për kërkim mbi sëmundjen e Alzheimerit.
Picasso pikturoi veprën “Koka e një Gruaje” të punuar me guache në letër në vitin 1941. Platforma e shitjeve online e organizatorëve të llotarisë thotë se numri i biletave do të kufizohet në 120,000, që do të thotë se shorteu mund të sjellë 12 milionë euro nëse shiten të gjitha.
Nga të ardhurat, 1 milion euro do t’i paguhen Galerisë së Operas, një shitës ndërkombëtar arti që zotëron pikturën. Llotaria do të shkojë në dobi të Fondacionit të Kërkimeve për Alzheimerin, me seli në një nga spitalet kryesore publike të Parisit.
Organizatorët thonë se dy llotari të mëparshme të Picasso-s mblodhën më shumë se 10 milionë euro për punë kulturore në Liban dhe programe për ujin dhe higjienën në Afrikë.
Në llotarinë e parë “1 Picasso për 100 €”, në vitin 2013, një punëtor i spërkatjes së zjarrit në Pensilvani fitoi pikturën “Burri me Kapelen e Operës”, të cilën mjeshtri spanjoll e pikturoi në vitin 1914 gjatë periudhës së tij kubiste.
Një vepër e dytë e Picasso-s, vepra me vaj në kanavacë Nature Morte, u hodh në llotari në vitin 2020 dhe i shkoi një kontabilisteje në Itali, djali i së cilës i kishte blerë biletën si dhuratë për Krishtlindje.
Ajo natyrë e qetë, e pikturuar në vitin 1921, u ble për llotari nga koleksionisti miliarder i artit David Nahmad, i cili argumentoi në një intervistë se Picasso do ta kishte miratuar llotarinë e veprave të tij. Picasso vdiq në vitin 1973.
“Tête de Femme” do të jetë në ekspozitë në shtëpinë e ankandeve Christie’s në Paris nga e hëna dhe shorti do të mbahet atje në orën 6 të mbrëmjes sipas orës lokale të martën.






















