“Gjithçka po zgjat më shumë sesa që duhet”.
Kështu e përshkruan procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, i cili theksoi se SHBA e mbështet këtë proces.
Ai theksoi se vendi duhet ta shfrytëzojë këtë mundësi, pasi sipas tij, në të kundërtën Kosova nuk mund ta ketë atë për një kohë të gjatë.
“Duam që të dy vendet dhe të gjitha vendet e rajonit të ecin sa më shpejt që është e mundur. Duam që kufinjtë të rrijnë të hapur që shoqëritë të punojnë bashkërisht në eksportimin e të mirave, mallrave dhe që njerëzit të punojnë dhe jetojnë në një vend tjetër. Duam që vendi ta shfrytëzojë këtë mundësi sepse nganjëherë e keni një mundësi dhe nëse nuk do ta shfrytëzoni, nuk do ta keni atë për një kohë të gjatë”, tha O’Brien në “Politiko”.
I pyetur se a mori ndonjë porosi apo sinjal pozitiv nga kryeministri lidhur me dialogun gjatë takimit, O’Brien tha se Kurti e kupton që për Kosovën tashmë është një çast unik, ndërsa përmendi në veçanti tranzicionet në BE dhe SHBA që pritet të ndodhin, e që sipas tij, këto ofrojnë një mundësi të mirë për Kosovën.
“Kurti e kupton që është një çast unik, për shkak se kemi të gjitha ato tranzicione që po ndodhin. Bashkimi Evropian do të ketë një komisioner të ri, pra personel të ri, i cili do të mbikëqyrë procesin e integrimit në Bashkimin Evropian edhe në SHBA kemi zgjedhje, e dijmë që do të kemi edhe aty një tranzicion”, tha O’Brien.