Shqetësuese janë shifrat e aksidenteve të cilat raportohen brenda 24 orëve.
Thuajse çdo ditë në bazë të të dhënave të Policisë së Kosovës raportohen mbi 40 aksidente, më së paku.
Në kuadër të këtyre aksidenteve në të shumtën e rasteve ka shumë të lënduar, madje edhe viktima.
Vetëm brenda këtij muaji, si shkak i aksidenteve në trafik kanë humbur jetën mbi 10 persona.
Aksidentet e trafikut ku viktimat janë këmbësorë, drejtues të biçikletave, motoçikletave, veturave e deri tek kamionët ndodhën në rrugët e ndryshme të vendit, transmeton lajmi.net.
Edhe më shqetësuese bëhet situata se numri i aksidenteve është thuajse çdo herë në rritje, pavarësisht thirrjeve të policisë për kujdes të shtuar.
Në të shumtën e rasteve arsyet që kanë çuar në këto aksidente janë mos-përshtatja e shpejtësisë me rrugën në të cilën drejtohet mjeti.
Madje brenda periudhës janar-shtator si pasojë e aksidenteve me fatalitet në komunikacion, në vendin tonë kanë humbur jetën 70 persona.
Sipas policisë, numri total i aksidenteve ka shënuar rënie krahasuar me vitin e kaluar, megjithëse numri i viktimave nga aksidentet mbetet i lartë.
Në lidhje me këtë çështje nga Policia e Kosovës për lajmi.net kanë thënë se në periudhën janar-shtator të këtij viti, janë shënuar gjithsej 1 mijë e 578 aksidente dhe krahasuar me vitin e kaluar ka rënie për 254 raste.
E sipas policisë thuhet se rreth 24 për qind e këtyre aksidenteve shkaku kryesor janë vetëaksidentet.
“Numri i përgjithshëm i aksidenteve rrugore ( ku përfshihen aksidentet fatale, me lëndime dhe dëme materiale) gjate kësaj periudhe te vitit; janar –shtator 2024 krahasuar me periudhën e njëjte te vitit 2023, është për 411 aksidente më pak. Ne periudhën janar-shtator 2024, janë raportuar 65 aksidente fatale me 70 persona të vdekur, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak (2023), pra sivjet deri ne ketë periudhe janë shënuar rreth 15% më pak aksidente fatale. Sipas analizave të aksidenteve në trafik dhe shkaktareve të tyre ne gjashtëmujorin e parë të këtij viti (janar-qershor-2024), është konstatuar se rreth 24 % të aksidenteve fatale të shkaktuara në rrugët tona janë vetaksidente”, thuhet në përgjigjen e Policisë
Krahasuar me vitin e kaluar ka pasur edhe ulje të aksidenteve me lëndime dhe atyre me dëme materiale.
“Falë angazhimeve policore, periudha krahasuese e muajit shtator (2023/2024) ka rezultuar me uljen e të gjitha llojeve të aksidenteve rrugore, ku aksidentet fatale kanë shënuar ulje -81.82%, përderisa numri i personave të vdekur ka shënuar po ashtu ulje të theksuar për -84.62%, aksidentet me lëndime ulje për -22.52% dhe aksidentet me dëme materiale po ashtu ulje për -9.04%”- shton tutje Policia.
Ndërkaq sa përket gjobave ka pasur rritje për 11.78% të shqiptimit të gjobave përgjatë kësaj periudhe.
Nga 58 mijë gjoba që janë shqiptuar vitin e kaluar, kësaj here ky numër ka shkuar në 65 mijë 151 tiketa të shqiptuara.
“Përgjatë kësaj periudhe kohore ka pasur edhe aktivitete në fushatat sensibilizuese për sigurinë rrugore, si dhe janë rritur aktivitetet policore ndaj shkelësve të ligjit, ku numri i gjobave të shqiptuara është rritur nga 58 285 në 65151 apo rritje për +11.78%”, thuhet në përgjigjen e PK-së.
Policia gjithashtu ka bërë me dije se përgjatë kësaj periudhe kohore ka pasur edhe aktivitete në fushatat sensibilizuese për sigurinë rrugore, si dhe janë rritur aktivitetet policore ndaj shkelësve të ligjit.
Policia e Kosovë ka apeluar tek të gjithë shoferët ne veçanti, por edhe pjesëmarrësit tjerë në trafik dhe nga ta që të jenë vigjilent dhe gjatë pjesëmarrjes në rrugë të respektojnë shenjat rrugore dhe dispozitat ligjore që burojnë nga ligji mbi trafikun rrugor, në mënyrë që secili të kontribuoj në zvogëlimin e aksidenteve fatale dhe humbjen e panevojshme të jetëve njerëzore si pasojë e pakujdesisë.