Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka njoftuar se më 7 nëntor nga Prishtinë, do të nisë “Turneun e Ndryshimit.
Ai thotë se bashkë me ekipin e tij do të nisin ciklin e tubimeve paraelektorale me qytetarë në çdo anë.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Abdixhiku fton qytetarët duke thënë: “Ejani, të gjithë, në tubimet tona tek qytetet e juaja. Ejani, të bëhemi bashkë, në përcaktimin e së ardhmes që e meritojmë”, raporton Klankosova.tv.
Më poshtë postimi i plotë:
Të dashur qytetarë,
Zgjedhjet e ardhshme përcaktojnë më shumë se sa fatin e një qeverie. Ato përcaktojnë fatin e vet Kosovës; si një vend i njerëzve të lirë që punojnë e jetojnë mirë, apo i një shteti të mbyllur, në zbrazje e përplasje tensionuese të pafundme!
Unë kam zgjedhur ndryshimin!
Dhe nga Prishtina, me 7 nëntor, së bashku me ekipin tim po nisim ciklin e tubimeve paraelektorale me qytetarë në çdo anë.
Po nisim ‘Turneun e Ndryshimit’!
Ejani, të gjithë, në tubimet tona tek qytetet e juaja. Ejani, të bëhemi bashkë, në përcaktimin e së ardhmes që e meritojmë!
Bëhu pjesë e rrugëtimit tonë plot shpresë!
Bëhu ndryshimi!