Përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar në Këshillin e Sigurimit ka shprehur shqetësimin se procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë ka ngecur. Ai ka adresuar dy thirrje shteteve, teksa ka theksuar se ato duhet të zbatojnë marrëveshjet ekzistuese të dala nga dialogu.
Ai u ka bërë thirrje palëve që të tregojnë përkushtimin në proces dhe të “demonstrojnë vullnetin politik por edhe guximin që t’i implementojnë marrëveshjet ekzistuese nga dialogu, përfshirë themelimin e Asociacionit”.
“Inkurajojmë Kosovën që të marrë parasysh me kujdes ndikimin e vendimeve të saj mbi të gjithë qytetarët, përfshirë ata të komuniteteve joshumicë dhe të punojë me partnerët e saj. E inkurajojmë Serbinë që të luajë rolin e vet në përpjekje për sigurim të drejtësisë dhe llogaridhënie për kryesit e sulmit tronditës të vitit të kaluar në Banjskë dhe të luajë rol konstruktiv në uljen e tensioneve dhe promovim të marrëdhënieve pozitive në rajon”, ka thënë përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar.
Ai ka shtuar se Mbretëria e Bashkuar është përkrahëse afatgjatë e sovranitetit dhe pavarësisë së Kosovës, ndërsa ka përmendur edhe përpjekjet e Kosovës për rekrutimin e policëve nga komunitetet joshumicë dhe trajtimin e dhunës nga konflikti.
“Mbesim të përkushtuar të përkrahim një shoqëri gjithëpërfshirëse dhe shumetnike në Kosovë. Mirëpresim përpjekjen e Kosovës që të rekrutojë policë nga komunitetet joshumicë dhe përkushtimin e saj për trajtimin e dhunës nga konflikti. Por për shumë vjet mungesa e marrëdhënieve normale mes Kosovës dhe Serbisë ka ndikuar negativisht në jetët e individëve në të dyja shtetet dhe në stabilitetin rajonal. Në javët e fundit kemi parë hapa pozitivë drejt bashkëpunimi më të madh, kjo përfshin heqjen e kufizimeve ndaj importeve të Serbisë në Kosovë dhe marrëveshjen që siguron përfaqësimin e Kosovës në CEFTA”.
E ambasadori i Sllovenisë në OKB, Samuel Zhbogar, ka kërkuar themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, por edhe “fundin e izolimit ndërkombëtar të Kosovës”.
Zhbogar tha se kërkon që të respektohet marrëveshja e Brukselit e Ohrit, dhe ka dënuar retorikën nxitëse dhe lëvizjes e pakujdesshme.
“Lëvizjet e tilla nuk i kontribuojnë proceset integruese. I bëjë thirrje Serbisë që të ndihmojë në hetimin e ngjarjeve në Banjskë. Nëse duam të ardhme më të mirë duhet t’i drejtohemi promovimit të arsimit, trashëgimisë dhe tolerancës”, tha Zhbogar.
E përfaqësuesi i Francës në Këshill të Sigurimit ka kërkuar që të zbatohet marrëveshja bazë. Franca po vazhdu ka dënuar siç ka thënë veprimet e njëanshme të autoriteteve të Kosovës në veri.
“Ato kanë ndikuar në jetën e komunitetit serb atje dhe nxisin tensione pa nevojë”, tha ai.