Ndonëse ishin futur në fushë për të luajtur një “finale” ndaj Ukrainës me shpresën se do të kualifikohen tutje, Shqipëria nuk arriti t’i bëjë ballë “Grupit të Vdekjes”.
Kombëtarja shqiptare u mposht në xhiron e fundit të fazës së grupeve në Ligën e Kombeve, duke mbetur në pozitën e fundit në grupin B1. Kësisoj edicionin e radhës Shqipëria do të jetë pjesë e Ligës C.
Kuqezinjtë u mposhtën me rezultat 2:1 nga Ukraina në stadiumin “Air Albania”.
Ukrainës iu nevojiten vetëm 10 minutat e parë të takimit. Zinchenko zhbllokoi rezultatin në minutën e pestë, ndërkaq epërsia u dyfishua pas pesë minutave nga Yaremchuk.
Në pjesën e parë, Shqipëria e pati vetëm një goditje drejt portës, ndërkaq goli i Bajramit ishte i vonshëm për të arritur përmbysje.
Mesfushori shqiptar zvogëloi epërsinë e mysafirëve duke realizuar nga penalltia në minutën e 75-të, por goli i tij nuk mjaftoi.
Shqipëria mbylli kampanjën e Ligës së Kombeve në pozitën e fundit, me shtatë pikë, po aq sa edhe Gjeorgjia që ndodhet në vendin e tretë.
Pozitën e parë e mban Çekia me 11 pikë, kurse në vendin e dytë ndodhet Ukraina me tetë pikë.
Shortin për fazën e radhës do të hidhet të premten.