Shkruan: Hisen Berisha
Vendimi i fundit i Qeverisë së Kosovës për të themeluar një Komision ndërministror që do të nisë procedurat për hapjen e fabrikës së municionit dhe laboratorit për fluturake pa pilot është një hap interesant që kërkon një qasje strategjike dhe një analizë të thellë e të detajuar mbi kapacitetet aktuale dhe potencialet e zhvillimit të vendit.
Ajo çfarë uroj së pari, është që të mos jetë një kauzë mashtruese për efekte elektorale, ashtu siç ka pasur paskrupullsinë t’i bëjë kauza elektorale edhe shumë tema të ndjeshme si, “bashkimin kombëtar”, “shërbimin e detyrueshëm ushtarak”, e tjera premtime që për gjashtë vite qeverisje rezultuan gënjeshtra, e tani po përpiqet t’ua bëjë reprizën. Kjo tingëllon (e mundshme) si një kauzë biznesi e ndërlidhur me zhvillimet e sigurisë dhe mbrojtjes dhe ka disa iniciativa nga ndërmarrës privatë që i janë ofruar Ministrisë së Mbrojtjes për krijimin e bazës ligjore dhe partneritet. Por, nëse i bëjmë një analizë procesit të implementimit të projektit FAK dhe ngecjeve në përmbushjen në afat dhe me kriteret e standardet e kërkuara sipas Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, modernizimit e standardizimit siç kërkohet nga aleatët për ndërveprueshmëri, atëherë edhe kjo ide rrezikohet nga ambiciet elektorale për pushtet, për çka qëllimi gjithmonë arsyeton mjetet dhe rrugën deri aty, për këtë soj politikbërësish.
Kosova, si një shtet në zhvillim, pas një procesi të Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë dhe hartimit të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit (PGJT), po ndërton kapacitetet ushtarake mbrojtëse – Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) nën asistencën tekniko-profesionale dhe politike të partnerit tonë strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përmes bashkëpunimit me Gardën Kombëtare të IOWA-s dhe bazuar në marrëveshjen gjithëpërfshirëse SOFA (Status of Forces Agreement). Ky partneritet garanton standarde të larta dhe furnizim të vazhdueshëm me pajisje moderne, armë, municione, sisteme armatimi, si dhe mirëmbajtje të plotë për pajisjet, pjesët rezervë dhe municionin.
Për këtë vendim, duhen marrë parasysh disa çështje kyçe që lidhen me realitetin ekonomik-zhvillimor, teknologjik dhe ligjor të Kosovës.
Ajo që del në rend të parë është mungesa e përputhjes me sistemin ekonomik të Kosovës, që është ndesh me konceptin dhe filozofinë politikbërëse e qeverisëse të kësaj klase politike, që qeverisin me logjikën administrative komuniste e falimentuar tashmë edhe në gjenezën e saj në Moskë.