Ka vdekur Maxhun Alimehaj nga Lybeniqi i Pejës, i cili ishte njëri nga 10 të mbijetuarit e pushkatimit që forcat serbe i bënë ndaj 70 bashkëfshatarëve të tashmë të ndjerit, më 1 prill të 1999-ës.
Njoftimin për këtë e dha qytetari nga Isniqi Shkodran Imeraj, përmes një postimi në Facebook.
“Ai, nga breshëria e plumbave të forcave serbe mori disa plagë, të cilave ju mbijetoj me shumë vështirësi. Maxhunin, kam pasur rast ta takoj disa herë dhe ta intervistoj si një nga të mbijetuarit e Masakrës së Lybenit të 1 prillit të vitit 1999. Dëshmia e tij, ishte vërtete rrëqethëse dhe kjo dëshmi tashmë ka hyrë në analet e historisë sonë në librin ‘Masakrat në Lybeniq 1998-1999’”, shkruan në postim.
“Vdekja e sotshme e Maxhunit, është një humbje e madhe jo vetëm për Familjen Alimehaj, por për gjithë shoqërinë tonë, ngase nga sot është shuar edhe një dëshmi e krimeve të gjenocidit serb në Kosovë”.
“Peja vendi im”, dhe “Lybeniq – Pejë” në Facebook bënë të ditur se varrimi bëhet nesër (të hënën), në ora 14:00, në varrezat e dëshmorëve në Lybeniq.