Le ta pranojmë që një nga arsyet pse shumica prej nesh e presin fundjavën, natyrshëm është edhe ai gjumi më i gjatë, zgjimi i vonë, me pak fjalë ngopja me gjumë të mirë dhe cilësor. Në fakt, ky gjumë shtesë ndikon në përmirësimin e shëndetit të zemrës suaj, sipas një studimi të prezantuar nga Shoqata Evropiane e Kardiologjisë (ESC) në Kongresin ESC 2024. Ekzaminimi i të dhënave te më shumë se 90 mijë individë, në mesin e të cilëve ishin edhe ata që i dhanë përparësi gjumit në fundjavë tregoi se gjumi ul me 20% zhvillimin e sëmundjeve të zemrës.
“Nëse në këtë studim bëjnë pjesë edhe individë që bëjnë gjumë të pamjaftueshëm gjatë ditëve të javës dhe fundjavës, ky mund të jetë një shpjegim për këto rezultate. Pra, kur kufizoni gjumin, shtoni shanset që të prekeni nga sëmundje të ndryshme të zemrës,” thotë mjekja Rebecca Robins.
Pse kemi nevojë për gjumë të mjaftueshëm?
Gjumi i jep trurit dhe trupit tonë një shans për të riparuar funksionet brenda natës. Kur shmangim ose kufizojmë këto veprime, trupi ynë ngadalë dështon të funksionojë në mënyrë efektive. “Rezultatet më të mira shëndetësore tregohen tek individët që mund të flenë mjaftueshëm,” shpjegon mjekja Robbins. Mesatarisht, ekspertët rekomandojnë një gjumë ideal prej shtatë deri në nëntë orë për të rriturit, ndërsa fëmijët dhe adoleshentët kanë nevojë për rreth 8 deri në 12 orë.
Si të bëni gjumë më të mire?
Mënyra më e mirë për të përmirësuar cilësinë e gjumit është që ta filloni gjithçka ngadalë. “Shkoni në shtrat 15 minuta më herët çdo natë derisa të keni 7 deri në 9 orë gjumë të plota,” sugjeron Robbins. Pasi të filloni t’i arrini këto objektiva gjumi, ndiqni një rutinë relaksi që mund t’ju ndihmojë të qetësoheni si ndizni një qiri, pini pak çaj, shkruani një shënim, etj. Kur të jetë koha për të shkuar në shtrat, sigurohuni që dhoma të jetë mjaft e errët duke përdorur perde të trasha ose duke vendosur një maskë për sytë.