Rastet e ngacmimeve, sulmeve seksuale e dhunimeve janë kthyer në një shqetësim të madh për shoqërinë kosovare. Vajzat dhe gratë janë viktimat më të shpeshta, por që jo rrallë ka ndodhur që edhe djemtë e burrat të bien pre e ngjarjeve të tilla të trishta. Kështu dyshohet se ka ndodhur së fundmi në Ferizaj, për çka Policia dhe Prokurori i Shtetit tashmë kanë nisur hetimin, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali ka mësuar se bëhet fjalë për dy djem 13-vjeçarë, që po dyshohet se janë sulmuar seksualisht nga dy persona, të moshës madhore, njëri prej të cilëve është identifikuar.
Rasti është denoncuar nga prindi i njërit prej të miturve, i cili ka kërkuar ndihmën e Policisë dhe ka raportuar se i biri dhe shoku i tij kanë qenë viktima të dy burrave që dyshohet se abuzuan me ta.
Sipas informacioneve të para, rasti ka ndodhur në orët e pasdites të së shtunës, ndërsa u raportua gjatë ditës së djeshme në Polici.
Siç thonë të njëjtat burime, babai që e denoncoi rastin, ka deklaruar se djali i tij fillimisht kishte shkuar te shoku, e bashkë me kanë dalë më pas në qytet, ku kanë hasur në dy të dyshuarit.
Prindi ka deklaruar para hetuesve policorë se të dyshuarit janë afruar te dy viktimat, njërit prej të cilëve i kanë ofruar edhe para dhe kanë vazhduar me ta tutje, ku dyshohet se edhe i kanë sulmuar seksualisht.
Gazeta Sinjali ka marrë vesh se bazuar në dëshminë e ankuesit, thuhet se ka dëgjuar se djali i tij është në lidhje dashurie me njërin prej të dyshuarve dhe kjo situatë e ka tmerruar.
Si rezultat i denoncimit të rastit, Policia është vënë në lëvizje dhe janë intervistuar dy fëmijët, të cilët kanë dhënë deklaratat e tyre para zyrtarëve policorë.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, hetimi është iniciuar dhe është urdhëruar ndërmarrja e veprimeve të nevojshme për të siguruar prezencën e të dyshuarve dhe zbardhjen në plotni të rastit.
Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja.