Gjatë qëndrimit në Slloveni, kryeministri Albin Kurti takoi zëvendëskryeministrin e Sllovenisë, njëkohësisht ministrin e Punës, Familjes, Çështjeve Sociale dhe Mundësive të Barabarta të Sllovenisë, Luka Mesec.
Sipas një komunikate për media, Kurti dhe Mesec diskutuan për marrëdhëniet bilaterale Kosovë – Slloveni, mundësitë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit dhe për rolin e mërgatës në forcimin e urave ndërmjet dy popujve dhe vendeve.
Gjithashtu bashkëbiseduan edhe për situatën gjeopolitike në botë me theks në ndikimet e mundshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Sllovenisë ndaj Kosovës, si në rrafshin evropian e ndërkombëtar ashtu edhe në fushën e sigurisë, ku trupat sllovene në Kosovë shërbejnë në kuadër të misionit të NATO-s, KFOR”, thuhet në komunikatën për media.
Të mërkurën, me rastin e vizitës së Mesec në Kosovë ku u mirëprit nga ministri i Financave, Punës dhe Trasfereve, Hekuran Murati, u iniciua marrëveshja për sigurime shoqërore me Slloveninë.