Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë fjalës së tij në seancën e përbashkët të Kuvendeve të Kosovës e Shqipërisë ka folur edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka potencuar se se Kosova duhet të ngrijë pa afat dialogun me Serbinë dhe normalizimin e marrëdhënieve me të ta synojë përmes dialogut bilateral me Bashkimin Evropian.
“Lejomëni të ndaj këtu sot opinionin tim, tanimë të konsoliduar ku çka nuk kam parë dhe shumë kam mësuar nga marrëdhëniet me miqtë dhe aleatët e me jo dashamirësit tanë, se në këtë faze kaq vendimtare për të Kosova duhet ta ngrijë, ta ftohë, pa afat dialogun bilateral me Serbinë dhe normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin verior duhet ta synojë përmes dialogut me BE, duke këputur kërthizën e reciprocitetit nacionalist me Serbinë dhe duke lidhur kërthizën e reciprocitetit europianist me BE.
Thënë ndryshe Kosova mund t’i japë familjes evropiane në një kohë të shkurtër provën e vullnetit dhe të përkatësisë së vet duke përmbushur kushtet e normalizimit me Serbinë jo për hir Serbisë, por për hir të martirëve dhe të fëmijëve të vet, dhe për hir të të bashkimit tonë kombëtar në familjen e kombeve me kryeqytet Bruksel”, ka thënë Rama.
Ai po ashtu ka theksuar se barra e fajit për degradimin e dialogut evropian të normalizimit duhet t’i bjerë e gjitha vetëm Serbisë.
“Barra e fajit për degradimin e dialogut evropian të normalizimit duhet t’i bjerë e gjitha vetëm Serbisë, por kurrsesi s’duhet të lejojmë që qoftë edhe një gram t’i bjerë Kosovës. Ne duam që Kosova të njihet një orë e më parë nga të gjithë ato vende evropiane që ngurojnë ta pranojnë realitetin e pakthyeshëm dhe të pandryshueshëm të pavarësisë së saj, përfshirë edhe nga Serbia, të cilën Kosova e ka mundur me luftë këtu e 25 vjet më parë”, është shprehur Rama.