Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ende nuk ka publikuar raportin e tij vjetor për vitin 2023, ndërsa po i afrohemi fundit të vitit 2024. Ky dokument, i cili zakonisht pritet të ofrojë një pasqyrë të qartë mbi veprimtaritë, sukseset dhe sfidat e institucionit, nuk gjendet i publikuar në faqen zyrtare oshp@rks-gov.net. Arsyeja kryesore për këtë vonesë është mosmiratimi i raportit nga Komisioni për Buxhet dhe Financa pranë Kuvendit të Republikës së Kosovës, shkruan Demokracia.com.
Kjo situatë është kontrast i dukshëm me raportin e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), i cili është miratuar dhe publikuar me kohë, duke ofruar transparencë dhe llogaridhënie ndaj publikut. Mosmiratimi dhe mospublikimi i raportit të OSHP-së jo vetëm që pengon informimin e qytetarëve dhe palëve të interesuara, por gjithashtu ngre shqetësime për nivelin e funksionimit dhe llogaridhënies së këtij institucioni të rëndësishëm.
Të gjitha raportet gjenden në faqen e OSHP-së, por jo edhe ai për vitin 2023.
Demokracia.com ka adresuar pyetje në këtë institucion për të informuar lidhur me këtë problem.
“Duke ju referuar pyetjes suaj se, pse në faqen zyrtare të OSHP-së nuk është publikuar Raporti i Punës për vitin 2023, OSHP ju informon si në vijim: Raporti i Punës së Organit Shqyrtues të Prokurimit për vitin 2023 nuk gjendet i publikuar në web faqen oshp@rks-gov.net, për arsye se i njëjti nuk është miratuar nga Komisioni për Buxhet dhe Financa pranë Kuvendit të Republikës së Kosovës. OSHP vazhdimisht i publikon në web faqen oshp@rks-gov.net të gjitha aktet dhe veprimet e ndërmarra nga palët, në një aktivitet të prokurimit dhe gjithnjë angazhohet që publiciteti dhe transparenca ta karakterizojnë punën e këtij organi, puna e të cilit është mjaft sfiduese por me rëndësi për interesin publik. Prandaj, OSHP vazhdimisht mbetet i hapur ndaj të gjitha mediumeve informative të cilat gjithnjë mbesin aleati kryesor për informimin e drejtë dhe me kohë të opinionit publik. Së këndejmi, OSHP falënderon për shprehjen e interesimit lidhur me punën e OSHP-së dhe gjithnjë mbetet në dispozicion të një komunikimi të vazhdueshëm,” thuhet në përgjigjen e këtij institucioni.
Demokracia.com ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga anëtarët e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Ferat Shala dhe Pal Lekaj, por asnjëri nuk ka dashur të deklarohet. Anëtarja e këtij komisioni, deputetja Duda Balje, nuk është shumë e sigurt për arsyet e mosmiratimit. “Më sa di, raporti nuk ka qenë në rendin e ditës për votim,” ka thënë ajo.
Roli i OSHP-së është jetik në sistemin e prokurimit publik në Kosovë. Si një organ i pavarur, OSHP-ja ka për detyrë shqyrtimin dhe zgjidhjen e ankesave të operatorëve ekonomikë lidhur me procedurat e prokurimit. Ky institucion siguron një proces të drejtë dhe transparent, duke parandaluar abuzimet dhe duke mbrojtur konkurrencën e lirë.
Mosmiratimi i raportit vjetor të OSHP-së në kohë të duhur përben një goditje për besueshmërinë e tij si dhe për transparencën e gjithë sistemit të prokurimit publik. Një institucion i tillë, me një mandat kaq të rëndësishëm, duhet të sigurojë që raportet dhe përditësimet mbi punën e tij të jenë të qasshme dhe të përfundojnë miratimin brenda afateve të parapara, për të ruajtur integritetin dhe funksionalitetin e tij.