Reduktimet e mëdha të energjisë elektrike në Kosovë kanë shqetësuar banorët, veçanërisht në temperatura nën zero, ku mungesa e rrymës për më shumë se 12 orë po rëndon gjendjen e tyre.
Banorë të fshatit Bresje në Fushë Kosovë, konkretisht ata që jetojnë në rrugën “Bedri Pejani,” janë ankuar në redaksinë e Insajderit për situatën alarmante duke përmendur moshat e shtyra e fëmijët.
Ata konfirmojnë se nga ora 12:00 e ditës së djeshme janë pa energji elektrike dhe se deri më tani nuk kanë marrë asnjë shpjegim apo përgjigje nga KEDS.
“Në Bresje nuk kemi rrymë prej orës 12:00 të ditës. Deri më tani nuk ka ardhur rryma. Kemi fëmijë të vegjël dhe pleq, dhe askush nga KEDS nuk është lajmëruar për këto probleme,” u shpreh njëri nga banorët.
Theksojmë se ditëve të fundit shumica e vendeve në Kosovë po përballen me mungesën e energjisë elektrike.
Lidhur me këtë gjatë ditës së nesërme Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli do të zhvillojë takim me përfaqësues të Operator Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) dhe të Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS).
Pas takimit që pritet të mbahet rreth orës 09:30 do të ketë prononcime për media para ndërtesës së KEDS, njoftoi Ministria e Ekonomisë, përmes një komunikate për media