Një ditë pasi ish-presidenti Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje pas konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale, një ngjarje e pazakontë ndodhi në Presidencë. Gazeta Sinjali mëson se pikërisht në këtë institucion të lartë shtetëror, një zyrtar i Agjencisë së Kosovës për Intelegjencë tentoi të ‘avullojë’ dokumente “Sekret” dhe “Top sekret” nga kasaforta e Presidencës.
Për këtë rast, U.D. e Presidentit, Vjosa Osmani e ka denoncuar në Prokurori këtë ndërhyrje të AKI-së, mëson Gazeta Sinjali.
Burime të Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë dhënë detaje nga denoncimi i U.D. Presidentit, Vjosa Osmani, lidhur me këtë rast.
Sipas të njëjtave burime, në denoncimin e Faton Pecit, këshilltar i Osmanit, i autorizuar për ta denoncuar këtë rast, thuhet se Osmani mori përsipër ushtrimin e detyrës së presidentit, më 5 nëntor dhe në proces të bartjes së përgjegjësive, pas një intervali kohor prej 24 orësh, ka qenë edhe bartja e kasafortës së sigurisë që përmban raportet e AKI-së dhe dokumente të tjera konfidenciale.
Sinjali merr vesh se më 6 nëntor 2020, sekretari i zyrës së Presidencës, fillimisht e kishte njoftuar stafin e U.D. Presidentit se EULEX-i do të bastis zyrat e Presidencës.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se pas një njoftimi të tillë, U.D. e Presidentit e kishte kontaktuar ELEUX-in, të cilët e kanë mohuar se një gjë e tillë do të ndodhë, pasi nuk kishte urdhër për bastisje.
Por çfarë ndodhi kur zyrtari i AKI-së tentoi të hap kasafortën?
Sinjali merr vesh se përkundër justifikimit se kasaforta e sigurisë nuk duhet të jetë objekt i bastisjes, pa autorizimin e U.D. Presidentit dhe në kundërshtim me vendimin e saj, në prezencë të një zyrtari që është prezantuar nga sekretari i zyrës së presidencës si inspektor i AKI-së, kanë tentuar të hapin kasafortën e sigurisë.
Edhe pse në denoncimin e kabinetit të Osmanit thuhet se ftesa për AKI-në për të ndërmarrë një veprim të tillë është bërë pa njoftimin dhe autorizimin e U.D. Presidentit, zyrtari i AKI-së dhe një zyrtar tjetër i IT-së, kishin hapur kasafortën shkurtimisht dhe e kanë mbyllur përsëri.
Gazeta Sinjali mëson se për një veprim të tillë të zyrtarit të AKI-së, Osmani ka ftuar në takim shefin e këtij institucioni, Kreshnik Gashin, të cilit ia ka shprehur pakënaqësinë e saj për ndërhyrjen e paautorizuar.
Mirëpo arsyetimi që U.D. Presidentit, Vjosa Osmani, ka marrë në këtë diskutim të ashpër, ishte se ky është dokumentacion i AKI-së dhe mund ta tërheqim kurdo.
Tutje në denoncim thuhet se pasditen e datës 06 11 2020, kabineti i Osmanit, në koordinim me administratën dhe në prezencë të sekretarit të zyrës së Presidentit dhe stafit të tij kanë evidentuar materialet që ishin në kasafortë (duke evidentuar vetëm datat dhe numrat referent të klikove, ato që kishin) dhe pas një procesi të tillë është bërë ndërrimi i passwordit të cilin e posedon nga ajo ditë vetëm Vjosa Osmani.
Çfarë thonë nga Presidenca?
Gazeta Sinjali ka kontaktuar kabinetin e U.D. Presidentit më 27 nëntor për të marrë një konfirmim zyrtar se çfarë ka ndodhur atë ditë.
Në përgjigjen e tyre thuhet se: “Rastin në fjalë menjëherë e kemi denoncuar te organet e rendit, të cilat po merren me të. Kjo ka qenë ndërhyrje e paautorizuar dhe shkelje e protokollit të sigurisë. Meqë rasti po hetohet, nuk mund të japim më shumë detaje.”
Përveç zyrës së Osmanit, Sinjali ka dërguar pyetje edhe në AKI për të marrë vesh nëse është bërë apo jo koordinimi me Presidencën, për t’i tërhequr dokumentet e klasifikuara, por ende nuk ka marrë përgjigje.
Ndërkohë që Gazeta Sinjali ka mësuar se Prokuroria është në vazhdën e grumbullimit të provave dhe fakteve për të konstatuar nsëe kishte apo jo ndërhyrje të paautorizuar në kasafortën e të parit të shtetit dhe nëse tentimi për të zbrazur kasafortën nga dokumentet e klasifikuara ishte në përputhje me interesin shtetëror.
Kujtojmë që dokumentet e klasifikuara nuk janë pronë e AKI-së pavarësisht se ky institucion është një nga shtyllat më të rëndësishme të sigurisë në vend.