Ylli shqiptar i futbollit, Xherdan Shaqiri, ka blerë aksione te klubi Rapperswil-Jona, që garon në kategorinë e tretë të Zvicrës.
Lajmin e ka bërë të ditur klubi zviceran të martën.
Shaqiri për faqen e klubit ku tashmë ka aksione, ka thënë se e planifikon të ardhmen e tij profesionale me Rapperswil-Jonan.
“Duke vendosur t’i bashkohem Rapperswil-Jona, dua të përgatitem për rrugën time pas karrierës si futbollist. Kjo përfshin njohjen e strukturave të klubit. Për mua Rapperswil-Jona është klubi ideal për këtë. Është një klub i mirë, me një stadium të bukur dhe një traditë të gjatë”, ka thënë Shaqiri.
Ai mezi pret të nisë bashkëpunimin me drejtuesit e klubit.
“Do të ketë punë serioze, zhvillim të të rinjve, integrim dhe përkushtim social”, është shprehur 33-vjeçari.