Procesi mësimor në shkollën fillore “Dardania” në Prishtinë është pezulluar për klasën 6/3, si pasojë e një situate shqetësuese që ka përfshirë sjellje të dhunshme nga një nxënës ndaj shokëve të klasës. Kjo gjendje ka shkaktuar reagim të fortë nga prindërit, të cilët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për të siguruar një ambient të sigurt për fëmijët e tyre.

Një prind, fëmija i të cilit ka pësuar dëmtime fizike në disa raste brenda pak ditësh, ka raportuar çështjen te drejtuesit e shkollës. Megjithatë, ai është shprehur se përgjigjet e marra nuk kanë qenë të mjaftueshme për të adresuar problemin. “Fëmija im është dëmtuar tri herë brenda dhjetë ditëve, dhe pavarësisht raportimeve, nuk kemi parë asnjë veprim konkret. Ne nuk mund të lejojmë që kjo situatë të vazhdojë,” tha prindi, transmeton Telenews.al

Ndërsa drejtuesit e shkollës kanë konfirmuar se për nxënësin në fjalë është hartuar një raport, mbetet e paqartë nëse janë ndërmarrë hapa për të siguruar mbështetje specifike, si për shembull caktimi i një asistenti për menaxhimin e sjelljes. Prindërit theksojnë se mungesa e një zgjidhjeje të tillë ka krijuar një klimë pasigurie për nxënësit e klasës.

Telenews.al ka tentuar të marrë një përgjigjje zyrtare lidhur me bojkotin e nxënësve pas rasteve të dhunës në këtë shkollë, por deri në këto momente s’ka marrë përgjigjje.

Nga ana tjetër, prindi i nxënësit që ka shkaktuar shqetësime ka apeluar për ndihmë dhe zgjidhje të situatës përmes mediave. Ndërkohë, pezullimi i mësimit ka shkaktuar zemërim dhe pasiguri mes familjeve të nxënësve, të cilët kërkojnë masa të menjëhershme nga Drejtoria Komunale e Arsimit dhe Ministria e Arsimit.

“Ne kemi kërkuar zgjidhje në çdo instancë, por deri më tani nuk kemi parë asnjë veprim konkret. Nuk mund të lejojmë që fëmijët tanë të vuajnë për shkak të mungesës së reagimit nga institucionet,” tha një tjetër prind i shqetësuar.

Prindërit e klasës 6/3 theksojnë se zgjidhja e këtij problemi është jetike për rikthimin e qetësisë dhe normalitetit në mësim. Ata apelojnë për masa të menjëhershme, duke përfshirë ofrimin e asistencës së nevojshme dhe sigurimin e një mjedisi të përshtatshëm për të gjithë nxënësit. /Telenews.al/

Related Posts