Ish-kryetari i Podujevës, Agim Veliu, ka thënë se kthimi i LDK-së në Podujevë nuk ka alternativë.
Ministri i Punëve të Brendshme ka thënë se LDK-ja e pranon verdiktin e qytetarëve të 29 nëntorit, ku në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Podujevës fitoi Shpejtim Bulliqi i Vetëvendosjes.
Ai ka thënë se qytetarët do të bindem shumë shpejt se askush më mirë se LDK-ja nuk i adreson nevojat e komunës, shtetit e qytetarëve.
“Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka një konsistencë bashkëjetese me llapjanë. Për rreth tri dekada kemi kaluar nëpër shumë sfida së bashku dhe ia kemi dalë mbanë. I falënderoj gjithë anëtarët e LDK-së, simpatizantët dhe qytetarët për besimin që na kanë dhënë për vite të tëra. Dega e LDK-së në Podujevë përulet para këtij besimi. Ne e pranojmë verdiktin e qytetarëve dhe zotohemi se do të reflektojmë në bazë të nevojave dhe kërkesave tuaja. Ne i ftojmë shërbyesit civilë, të punësuarit në arsim, shëndetësi dhe në përgjithësi në nivel lokal, që të vazhdojnë të shërbejnë me nderë, pasi që kthimi ynë në vjeshtën e vitit të ardhshëm është i sigurt. Qytetarët shumë shpejt do të binden se askush më mirë se LDK-ja, nuk i adreson nevojat e komunës, shtetit dhe qytetarëve. Për dallim prej të tjerëve, ne nuk konsiderojmë që jemi të pagabueshëm. Por për dallim prej të tjerëve ne lëshimet tona eventuale dimë t’i korrigjojmë dhe të reflektojmë. Shumë shpejt ne do të dalim me një program të ri politik, i cili parasheh kthimin e LDK-së në qeverisjen lokale në Podujevë dhe adresimin e të gjitha nevojave të komunës dhe qytetarëve. LDK-ja është shtëpia e të gjithë llapjanëve, të rinjve dhe të rejave, burrave dhe grave, mësimdhënësve, mjekëve, profesionistëve të fushave të ndryshme, bujqve, të moshuarve etj. Ne kemi bashkëjetuar dhe kemi udhëhequr komunën drejt fitoreve të njëpasnjëshme për 20 vjet. Vitin e ardhshëm beteja e re politike do të na gjej më të përgatitur, më unik dhe më të fortë se kurrë. Kthimi i LDK-së në Podujevë nuk ka alternativë!” – ka shkruar Veliu në Facebook.