Rruga është gati. Por edhe pse kanë përfunduar të gjitha punimet, qytetarët nuk po mund ta shfrytëzojnë magjistralen e re me katër korsi Prishtinë-Mitrovicë.
Projekti që kushtoi mbi 2.7 milionë euro, është bllokuar nga kompania e cila i kreu punimet nga hyrja e qytetit të vushtrrias e deri në dalje të saj.
Në një intervistë për Gazetën inFokus, Drejtori i “Sallahu SH.P.K”, që ka ndërtuar këtë rrugë, Lulzim Sallahu ka thënë se nuk e ka ndërmend ta lejoj shfrytëzimin e rrugës derisa Ministria e Infrastrukturës nuk ia paguan borxhin prej afro gjysmë milion eurosh.
Sipas Sallahut shuma e projektit i cili ka nisur në kohën kur Pal Lekaj ishte ministër i Infrastrukturës, ka qenë 2 milionë e 670 mijë euro prej të cilave Ministria nuk u ka paguar atyre plot 430 mijë euro.
“Ne nuk do ta lirojmë rrugën derisa të na bëhet e tërë pagesa”, ka deklaruar drejtori i kësaj kompanie.
Sallahu ka thënë se kanë bërë kërkesë tashmë disa herë në ministri por ende nuk i kanë marrë paratë për punën që kanë bërë.
“Rrugën e kemi bllokuar për shkak se nuk na kanë bërë pagesën dhe deri sa të bëhet kjo pagesë ne nuk e lëshojmë rrugën, shuma e pagesës që nuk e ka bërë ministria është 430 mijë euro. 204 mijë euro janë punët shtesë ndërsa pjesa tjetër është pjesë e projektit kontratës të parë. Kërkesën për punët shtesë e kemi bërë qe 5 muaj në Ministri por ende nuk na kanë kthyer përgjigje. Krejt problemi është të Valmira Bllaca, zyrtarja e prokurimit, se ajo nuk po i kryen punët, më herët i kemi bërë një kallëzim penal që i ka bërë disa shkelje me një projekt tjetër e tash tu u mundu me qëllim me tendencë me na blloku, i ka nja 5 muaj që jemi kështu të bllokuar. Ligjërisht ne na takon ta mbajmë të bllokuar derisa të na kryhet pagesa”, ka deklaruar ai në detaje.
Mirëpo të njëjtën nuk po e thonë edhe nga Ministria e Infrastrukturës, shkruan Gazeta inFokus.
Malë Lokaj, u.d Drejtori i menaxhimit të rrugëve ka thënë për Gazetën inFokus, se kanë mbetur pa u paguar vetëm edhe punët shtesë të cilat i ka bërë kompania dhe sipas tij rasti është në procedurë.
“Operatori ka bërë kërkesë për pagesën e punëve shtesë që ka kryer dhe rasti është në procedurë”, ka thënë shkurt Lokaj.
E drejtori i kompanisë punëkryese, Lulzim Sallahu po vazhdon të akuzojë Drejtoreshën për Prokurim në këtë ministri, Valmira Bllaca, pasi sipas tij është ajo që i ka zvarritur punët e madje shumën e ndarë për këtë kompani e ka quar diku tjetër.
“Kërkesën për punë shtesë e kemi bërë në muajin e nëntë të vitit të kaluar, por Valmira Bllaca i ka neglizhuar, ne kemi bërë kërkesë disa herë, pastaj kur është formuar komisioni që në muajin e 5 të vitit 2020, komisioni në muajin e 6 i ka pranuar të gjitha punët shtesë, por prapë pagesa nuk është bërë. Edhe i ka pranuar edhe ka shkuar me procedurë për prokurim për me u lidh aneks kontrata por përsëri Valmira nuk e ka lidh aneks kontratën dhe kanë qenë të zotume mjetet që do të na ndahen, ndërsa sivjet Valmira këto mjete i ka përdor për diçka tjetër dhe nuk e ka lidh fare aneks kontratën për punë shtesë edhe pse është pranuar nga komisioni”, ka përfunduar Sallahu.
Ndërsa Gazeta inFokus ka tentuar të kontaktoj edhe me ish drejtoreshën e prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës, Valmira Bllaca të cilën po e akuzon kompania që ka kryer punën, mirëpo nuk ka qenë e mundur.
Sipas të dhënave të siguruara nga Gazeta Infokus ajo ka dhënë dorëheqje në fillim të vitit 2020.