Lotët kanë funksion mbrojtës të syve. Ata e njomin pjesën e parme të syrit, e pastrojnë nga irituesit dhe paraqesin barrierën e parë imunologjike të syrit.
Dukë e ruajtur lagështinë ë syrit, na mundësojnë të kemi të pamur më të pastër. Lotët krijohen në gjëndrën e lotimit, që gjendet në këndin e jashtëm nën kapakun e sipërm të syrit dhe në sasi më të vogël në gjëndrat ndihmëse të lotimit, të vendosura përgjatë kapakëve të syve. Më secilën përpëlitje të syve, ata shpërndahen nëpër sipërfaqen e syrit, e pastrojnë dhe e njomin. Ata normalisht rrjedhin nëpërmjet kanaleve të lotëve dhe derdhen në qesen e lotëve, të vendosur në këndin e brendshëm të syrit, ndërsa prej atje derdhen në hundë. Sasia normale ditore e lotëve është 30 pika, duke pasur parasysh se gjatë gjumit nuk dalin lot. Përqindja më e madhe e lotëve përbëhet nga uji (98% ), ndërsa pjesa tjetër janë proteina, minerale, enzime dhe imunoglobulina .
Sytë me shpesh lotojnë prej dy shkaqesh:
bllokimit të kanaleve të lotëve ose
ekzistimit të prodhimit të tepërt të lotëve
Çfarë do të thotë rritja e lotimit?
Prodhimi i rritur i lotëve është një nga tre shenjat e sëmundjes së syrit (epiphora, blepharospasmus dhe fotofobia ). Mund të jetë rezultat i iritimeve banale të syrit, por gjithashtu edhe rezultat i sëmundjeve serioze të syve. Si iritues mund të përmenden pluhuri shtëpiak, ajri i thatë, tymi i cigareve dhe aerosolet. Një nga shkaqet më të shpeshta për lotim të tepërt është reagimi alergjik i syrit. Ekzistojnë një numër i madh i substancave që shkaktojnë reaksion alergjik. Për shembull, në pranverë më e shpeshtë është alergjia nga pluhuri i polenit të luleve të ndryshme, barit etj. Alergji mund të shkaktojnë prodhime të ndryshme kozmetike, thjerrëzat e kontaktit. Njerëzit që ruajnë kafshë shtëpiake shpesh ankohen në lotim të shtuar të syve, që mund të jetë rezultat i alergjisë nga qimet e atyre kafshëve.
A duhet të paraqitem te mjeku pas çdo lotimi të syrit?
Nëse lotimi është i shoqëruar me skuqje intensive, me gërvishtje dhe dhimbje të syve, urgjentisht duhet kontroll i syve. Oftalmologu do të përcaktojë a bëhet fjalë për ndezje të kapakëve (blefaritis), të konjuktivës (konjunktivitis) ose, sëmundje të kornesë (keratit, trup i huaj në korne, erozione sipërfaqësore dhe të tjera) dhe do të rekomandojë terapi adekuate.
Interesante është se lotim të shtuar kemi edhe te sindroma e syrit të thatë. Tingëllon paradoksale por sqarimi është se, për shkak të thatësisë së shtresave sipërfaqësore syri vazhdimisht është i irituar (ndjenja e trupit të huaj) dhe për këtë shkak, gjëndra e lotit është e stimuluar të prodhojë më shumë lot. Terapi për këtë janë lotët artificialë.
Çfarë duhet të bëhet që të zvogëlohet lotimi?
të konsultohet mjeku i syve;
të zbulohet shkaku i rritjes së lotimit;
të shmangen irituesit që kanë sjellë deri te ajo gjendje;
të përdoren pika për njomjen e syrit, pika antialergjike ose antibiotike
të mbahen syze mbrojtëse.