Në shkollën publike të re “Mihail Grameno”, e cila nisi punën vitin e kaluar, prindërit po përballen me kërkesa për të mbuluar shpenzime që në fakt duhet të ishin përgjegjësi e shtetit. Rasti më i fundit është mbledhja e fondeve për perde në klasa, një nevojë elementare për një mjedis të përshtatshëm mësimor.
Është e papranueshme që një shkollë e re, ende pa mbushur dy vite funksionim, të mos ketë të siguruara bazat për një mësim normal. Në vend që të kërkojë llogari nga institucionet shtetërore për këto mungesa, Këshilli i Prindërve po propozon që vetë prindërit të mbulojnë koston e perdeve.
Kjo situatë ngre një shqetësim madhor: A po i shmanget shteti detyrimeve të tij ndaj arsimit publik, duke ia ngarkuar ato qytetarëve? A duhet që shkollat e reja, të ndërtuara me buxhet shtetëror, të mbeten të papajisura dhe të mbështeten në kontributet e prindërve për gjërat bazike?
Prindërit nuk mund të trajtohen si sponsorë të sistemit arsimor. Është detyrë e shtetit të sigurojë kushte dinjitoze për nxënësit dhe mësimdhënësit. Kërkojmë nga autoritetet kompetente të marrin përgjegjësi dhe të sigurojnë që shkolla të ketë infrastrukturën e nevojshme, pa u varur nga financimi i familjeve.
Arsimi publik duhet të jetë i garantuar nga shteti, jo nga xhepat e prindërve!