Kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se raportet me Ramush Haradinajn dhe Fatmir Limajn janë normale.
“Ne flasim çdoherë, janë raporte normale. Kemi punuar bashkarisht edhe për ligjin për rimëkëmbje. Jemi duke biseduar edhe ligjin për buxhetin, për presidentin. Sepse nëse nuk e gjejmë tash zgjidhjen për president, prap duhet të ulemi dhe të bisedojmë. Ta kemi një tryezë ku flasim hapur”, ka thënë Mustafa në emisionin “Debat” të RTK-së.
Ai ka thënë se shpreson që krerët e partive të takohen brenda këtij viti dhe të bisedojmë për presidentin.
“Kam menduar që ta takohemi javën e kaluar, por ata i kanë arsyet e veta dhe i shikojnë rrjedhat nga këndvështrimi i vet. Por ne duhet ta kemi një tryezë pa kushte. Nëse arrijmë marrëveshje mirë, nëse jo tentojmë prap”, ka thënë Mustafa.
Sipas tij, gjendja nuk është dramatike, edhe nëse shkohet në zgjedhje.
“Këtu jemi, bashkë jemi, ndajmë edhe interesat e përbashkëta. Legjitimiteti popullor është zhargon politikë, sepse gjithmonë thirremi në ata. Qytetarët e meritojnë votën e tyre. Në asnjë rast qytetari s’mund ta rëndojmë, sepse qytetari të ka besuar në zgjedhje. Këto probleme duhet t’i zgjidhim ne vet dhe jo çdo moment të kthehemi tek qytetari. S’ka nevojë që zgjedhjet të mbahen çdo vit ose çdo gjashtë muaj”, ka thënë kryetari i LDK-së.
Mustafa ka thënë se sheh zgjidhje për presidentin. “Në qoftë se tash s’kemi vullnet për zgjedhjen e presidentit, atëherë shohin ëndrra ata që thonë se VV-ja do t;i fitojë 50 për qind të votove në zgjedhje. Edhe 50 t’i fitonte s’do të mund ta zgjidhte presidentin. Mundesh t’i fitosh 50 për qind në komuna, por jo në zgjedhje të përgjithshme. Ku do t’i marrin ata ato vota?”, ka thënë Mustafa. /RTKLive/