Ushtruesi i detyrës si kryetar i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se VV-ja e ka ngritur mocionin për mosbesim dhe ajo duhet të jetë serioze e t’i bëjë ftesë PDK-së.
“Vetëvendosja nëse është e interesuar që t’i japë fund kësaj Qeverie, duhet të na bëjë ftesë serioze. VV-ja e ka nisur mocionin, le të bëjnë ftesë dhe takohemi. Po ta kishte nisur PDK-ja mocionin do ta kishte ftuar Vetëvendosjen, qëndrimi ynëi është i kristaltë”, ka vlerësuar Hoxhaj.
Hoxhaj ka thënë se PDK-ja është e gatshme për t’u marrë vesh me Isa Mustafën.
“Mendoj se me zotin Hoti, nuk kem nevojë fare për takim. Vetëm me zotin Mustafa për ne është partner. Ne jemi opozitë ata janë Qeveri. Qasja jonë është e qartë, ne duam që vendi të mos mbetet pa kreun shtetëror, që Kosova të ketë president dhe jemi të gatshëm të japim votat tona, por presidenti duhet të zgjedhet nga Partia Demokratike e Kosovës. Kjo nuk nënkupton raport të ri me Qeverinë, por vetëm sjellje shtetërore”, u shpreh ai para medias.