Dy të dyshuarit për sulm dhe pengim ndaj Policisë së Kosovës, pasi u kapën duke tentuar të kontabandojnë mallra rrezikojnë të përfundojnë në paraburgim. Tashmë Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata caktimin e masës së sigurisë ndaj dy të dyshuarve, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se dy të dyshuarit për këtë rast janë Mensur Bardhi dhe Mirsad Bardhi – vëllezër mes vete.
Bazuar në dosjen e Prokurorisë, vëllezërit Bardhi dyshohen se me dashje dhe në bashkëkryerje, kanë tentuar të kalojnë vijën kufitare nga Republika e Kosovës për në Republikën e Maqedonisë së Veriut, duke shmangur kontrollin doganor pasi në veturën e tyre kanë pasur të ngarkuara mallra të ndryshme.
Por, të njëjtit janë kapur nga Policia në fshatin Krivenik, pa arritur te vija kufitare, ku edhe janë ndaluar.
Në shenjë revolte dhe në pamundësi për t’i kontrabanduar mallrat, ata po ashtu dyshohen se me forcë kanë penguar zyrtarët policorë për t’i kryer detyrat zyrtare.
“…në atë mënyrë që derisa personat zyrtarë ishin duke kryer detyrat e tyre në një pikë vëzhgimi afër vijës kufitare Republika e Kosovës për në Republikën e Maqedonisë së Veriut, kanë vërejtur të pandehurit me veturën “VW Sharan” duke kaluar vijë kufitare, dhe i kanë sinjalizuar që të ndalen, mirëpo të njëjtit nisin veturën me vrull me qëllim për ta goditur zyrtarin policor A.Rr., që ishte jashtë veturës, i cili detyrohet që të përdorë armën e tij zyrtare në vetëmbrojtje, duke bërë që vetura të merr drejtim tjetër të ikjes, ashtu që zyrtarët i vihen pas në ndjekje dhe arrijnë që të ndalin veturën e të pandehurve.
Mirëpo, të pandehurit gjatë arrestimit kanë rezistuar duke sulmuar zyrtarët policor, me ç’ rast tretman mjekësor për shkak të lëndimeve kanë marr zyrtarët A.R dhe Sh.M, me të cilën do të kryenin veprën penale në bashkëkryerje “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare nga neni 401 paragrafi 5 lidhur me paragrafi 4 dhe 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.”
Dy të dyshuarit, me vendim të prokurorit të shtetit gjenden nën masën e ndalimit për veprat penale “Kontrabandim me mallra” dhe “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
The post Ekskluzive: Këta janë dy vëllezërit që sulmuan Policinë afër kufirit pasi u kapën duke tentuar të kontrabandojnë appeared first on Sinjali.