Anëtarja e delegacionit të Kuvendit të Kosovës në Këshillin e Europës, Ariana Musliu-Shoshi ka deklaruar se në fillim të takimit të Komitetit për Punë të Jashtme dhe Demokraci, me kërkesë të kryetarit të Grupit të Partisë Popullore Europiane, spanjollit Pablo Hispán, u votua për shtyrjen e kërkesës së Kosovës nga rendi i ditës.

Kjo parti kishte votuar edhe kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës.

Musliu-Shoshi është shprehur se ky ka qenë një zhvillim i papritur që nuk ishte paraparë as në grupet politike dhe as si mundësi.  Kërkesa e Kosovës ka qenë që t’i ipet statusi i mysafirit special, e cila në agjendën fillestare të mbledhjes së Komitetit në Paris ka qenë e paraparë që të trajtohet.

“Kjo situatë tregon nevojën për mobilizim si shtet, në bashkëpunim me aleatët tanë, për të krijuar një strategji të qartë që do të sigurojë realizimin e prioriteteve dhe agjendave tona në arenën ndërkombëtare”- ka shkruar Musliu-Shoshi në Facebook.

Pos Musliu-Shoshit, në Paris kanë qenë edhe Besnik Tahiri dhe Enis Kervan.

Se kërkesa e Kosovës është larguar nga rendi i ditës ka bërë të ditur vetë Këshilli i Europës në një përgjigje për KALLXO.com. Në një përgjigje të shkurt, Këshilli e ka dërguar agjendën e re në të cilën shihet se është hequr kërkesa e Kosovës. Më parë, ajo ishte, në bazë të agjendës që është dërguar më 28.02.2025.

Mysafiri special ka kompetenca, por deri diku ato janë të kufizuara.

Sipas Rregullores të Asamblesë Parlamentare, Byroja mund t’u japë statusin e mysafirit special parlamenteve kombëtare të shteteve europiane joanëtare që kanë aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Europës.

Çdo kërkesë zyrtare për statusin e të ftuarit special, sipas Rregullores, i drejtohet Kryetarit të Asamblesë Parlamentare nga Kryetari i parlamentit përkatës.

Nëse Byroja, pasi të jetë konsultuar me Komisionin për Çështjet Politike dhe Demokracinë, miraton një kërkesë të tillë, Kryetari i Asamblesë Parlamentare e fton parlamentin përkatës të marrë statusin e mysafirit special.

Numri i anëtarëve të një delegacioni të ftuar special, i cili nuk duhet të kalojë tetëmbëdhjetë, do të jetë i njëjtë (pa zëvendësues). Ky numër caktohet nga Byroja, me propozim të Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci.

Anëtarët e delegacioneve të ftuar special mund të ulen në Asamble, por pa të drejtë vote. Ata kanë të drejtë të flasin me autorizimin e Kryetarit të Kuvendit.

Në mbledhjet e Komitetit, ata mund t’i paraqesin kryetarit të Komitetit propozime në lidhje me projekt-rendin e ditës të mbledhjeve të komisionit dhe propozime për amendamente në draft tekstet e shqyrtuara në këto mbledhje. Kryetari i komisionit vendos për çdo veprim të mëtejshëm. Ata mund të nënshkruajnë mocione për rezoluta dhe rekomandime dhe deklarata me shkrim. Megjithatë, ato nuk do të merren parasysh për numrin e nënshkrimeve të kërkuara.

Anëtarët e delegacioneve të ftuar të posaçëm mund të marrin pjesë në punën e grupeve politike sipas kushteve të vendosura nga grupet.

Komisioni për Çështje Politike dhe Demokraci ose së paku njëzet anëtarë mund t’i kërkojnë Presidentit pezullimin ose tërheqjen e statusit të mysafirit special. Presidenti do të informojë menjëherë Byronë për çdo kërkesë të tillë. Nëse kërkesa nuk është bërë nga Komisioni për Çështje Politike dhe Demokraci, Presidenti kërkon menjëherë mendimin e atij komisioni, i cili ia përcjell më pas Byrosë.

Anëtarët e Byrosë do të informohen për shqyrtimin e një çështjeje të tillë të paktën dy javë përpara mbledhjes së Byrosë. Vendimi i Byrosë merret me shumicë prej dy të tretave.

Kur statusi i mysafirit special është tërhequr, parlamenti në fjalë do të bëjë një kërkesë tjetër zyrtare nëse dëshiron ta marrë sërish këtë status. Pezullimi i statusit të të ftuarit special mund të hiqet nga Byroja duke vendosur me dy të tretat e shumicës nëse konsideron se kushtet që kanë çuar në pezullimin nuk ekzistojnë më.

Related Posts