Ka një javë që Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim për rrëzimin e Qeverisë në krye me Avdullah Hotin. Që nga atëherë palët janë duke pritur aktgjykimin e plotë. Nga Kushtetuesja kanë thënë për Gazetën Express se aktgjykimi është drejt finalizimit.
Pas më shumë se gjashtë muajsh, Gjykata Kushtetuese ka vendosur për kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me interpretimin e ligjshmërisë së votës së deputetit Etem Arifi. Mirëpo, deri më tani palët nuk kanë marrë ende aktgjykimin e plotë.
Gazeta Express për këtë çështje ka kontaktuar zyrën për media në Gjykatën Kushtetuese.
Nga ky institucion i kanë thënë Express-it se aktgjykimi është drejtë finalizimit, por, që nuk kanë treguar datë të saktë se kur do të publikohet.
“Aktgjykimi është duke u finalizuar dhe posa të jetë i gatshëm do t’u dërgohet të gjitha palëve të përfshira në rast, do të publikohet në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare”, ka thënë Veton Dula, zyrtar për komunikim në GJK.
Mospublikimi i aktgjykimit të plotë nga Kushtetuesja i ka stopuar punët edhe për shpalljen e zgjedhjeve të reja.
U.d e presidentit, Vjosa Osmani dy ditë me radhë ka pritur në presidencë të gjitha partitë politike, derisa pas takimeve tha se për datë të zgjedhjeve do të vendoset vetëm pas vendimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese.
Ditën e publikimit të Aktgjykimit të plotë po e presin edhe në Lëvizjen Vetëvendosje. Nga ky subjekt, janë duke pritur për të parë nëse liderit të kësaj partie, Albin Kurtit, i lejohet ose jo që të kandidojë në zgjedhjet që pritet të mbahen në fillim të vitit.
Gjykata Kushtetuese me një vendim të saj, e shpalli të pavlefshëm votimin e qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Avdullah Hoti.
Po ashtu Gjykata në vendimin e saj thotë, se zgjedhjet e reja duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.
“Vendimi nr. 07/V-014 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për Zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, i 3 qershorit 2020, nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 (Zgjedhja e qeverisë) të Kushtetutës, sepse qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendim të Gjykatës Kushtetuese. Më tej thuhet se,”marrë parasysh se qeveria nuk është zgjedhur sipas paragrafit 3 të nenit 95 (Zgjedhja e qeverisë) të Kushtetutës, atëherë mbështetur në paragrafin 4 të nenit 95 (Zgjedhja e qeverisë) të Kushtetutës, Presidenti i Republikës së Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese që mban datën 21 dhjetor 2020.
Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Avdullah Hoti, u votua më 3 qershor, pas rrëzimit të qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti./GE