1. Dëgjoji prindërit e tu. Ne asnjëherë nuk do të të udhëheqim drejt rrugës së gabuar. Do të ketë edhe kohëra kur mund të mendosh se nuk i kemi në mendje interesat e tua, por ne përherë i mendojmë ato.
2. Mos u ndje në frikë të jesh vetvetja. Familja jote dhe miqtë e tu të vërtetë do të të pranojnë për atë që ti je.
3. Ki kujdes me veshjet me dekolte të hapur, apo me xhinset e grisura. Kujdes edhe me make up-in, sepse një femër me vlera nuk është ajo që lyhet apo vishet ekstravagante për të rënë në sy. Një femër me vlera është ajo më e thjeshta, por që sërish me praninë e saj diku imponon respekt.
4. Shmangi thashethemet në grupin tënd shoqëror.
5. Mendohu dy herë përpara se të shpërndash diçka në internet.
6. Mëso të gatuash, të pastrosh dhe të organizohesh për veten tënde, jo për dikë tjetër.
7. Mos i vendos vetes kufij. Thyeji kufijtë që mund të ekzistojnë në mendjen tënde.
8. Ti je më i fortë, nga sa mendon se je.
9. Lexo sa më shumë libra dhe shih dokumentarë. Kultura asnjëherë nuk është e mjaftueshmë.
10. Nuk ka asgjë të keqe të bësh pak aventura, ndaj mos ki frikë për të provuar gjëra të reja.
11. Në gjithçka që bën, mbaje përherë në mendje se ekziston përherë një reagim për çdo veprim.
12. Ji heroina e historisë tënde. Ti nuk ke pse të varesh nga një princ për të të shpëtuar.
13. Mos u bëj budallaqe, thjesht për të kërkuar vëmendje e për të rënë në sy. Nuk ka asgjë të keqe me të qenurit e zgjuar dhe të treguarit serioze. Përdor përherë një logjikë të mprehtë.
14. Respektoje përherë veten tënde. Nëse nuk e bën këtë gjë, mos prit ta bëjnë të tjerët.
15. Njihi miqtë e tu të vërtetë. Është normale t’i lësh njerëzit të shkojnë e të ecësh përpara. Jo çdokush që hyn në jetën tënde, është i përcaktuar të qëndrojë në të përgjatë gjithë udhëtimit.
16. Vendosi vetes synime dhe bëj plane, por dije se jo gjithçka shkon sipas një plani. Ndaj ki përherë një plan B, ose C në mendje.
17. Mos hiq dorë nga ëndrrat e tua. Hidh përditë nga një hap më tepër për të qenë afër tyre.
18. Udhëto. Shijoje botën. Ti e meriton.
19. Kuptoje se çfarë po ndodh në botë dhe në komunitetin tënd lokal. Ji përherë e përditësuar me ngjarjet aktuale.
20. Ki besim tek vetja dhe ji e vendosur për gjërat që bën.
21. Respektoje natyrën dhe mjedisin që të rrethon. Ndihmo për mirëmbajtjen e tij. Në të ardhmen ai mjedis do t’i shërbejë edhe fëmijëve të tu.
22. Puno fort dhe shfrytëzoje maksimalisht çdo mundësi.
23. Sillu mirë, me mëshirë dhe me besnikëri, sidomos ndaj atyre që të duan.
24. Jo çdokush do të të pëlqejë, por mos u shqetëso t’i bësh ata për vete. Bëje veten tënde të lumtur dhe kapu pas gjërave, tek të cilat beson.
25. Njihi vlerat e tua dhe mos lejo askënd të të demoralizojë, apo të të bëjë të ndihesh keq.
26. Ki përherë besim në Zot. Ai ka në dorë gjithçka…
27. Kupto se gjërat materiale janë të pavlera. Një ditë atyre do t’u vijë edhe skadenca, ndaj kapu pas ndjenjave. Duaji njerëzit dhe do ta kuptosh vetë se çfarë ka vërtet vlerë në jetë.
28. Shiko babanë tënd dhe kërko tek mashkulli që do të kesh përkrah të njëjtat karakteristika. Babai yt është shembulli perfekt se si një mashkull duhet ta trajtojë një femër. Ti je princesha jonë, ndaj gjej një mashkull që do të trajtojë si mretëreshën e tij dhe ai do ta meritojë që ti ta trajtosh si një princ, po ashtu.
29. Mëso të përdorësh një instrument muzikor, luaj sporte, përfshihu në grupe edukuese dhe bëj punë vullnetare. Çdo punë që të bën të fitosh aftësi, të formon akoma më tepër si një person.
30. Ji e shëndetshme. Ha mirë dhe ushtrohu. Mbaj një higjienë të pastër. Bëje me pasion çdo gjë që bën dhe puno me dëshirë në profesionin që zgjedh. Jo çdo gjë ka lidhje me paratë. Nuk ka kënaqësi më të madhe, se sa të bësh një punë që e pëlqen, pavarësisht pagesës së saj.