Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve hetimore ndaj anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Sami Kurteshi, pas gjuhës që kishte përdorur ndaj një gazetareje në Qendrën e Numërimit të Rezultateve.
Lajmin e ka konfirmuar Zyra për Media e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
“Lidhur me pyetjen tuaj ju konfirmojmë, se Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve hetimore ndaj Sami Kurteshit”.
Gjatë një pyetje drejtuar Kurteshit nga gazetarja e Gazeta Nacionale, Besarta Hoti, ai është përgjigjur me fjalët: “Ju jeni media kriminale, të vrasësve me pagesë.”
Për këtë gjuhë të tij ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, i cili dënoi “gjuhën skandaloze, kërcënuese dhe nxitëse të anëtarit të KQZ-së, Sami Kurteshi”.
“AGK-ja e konsideron këtë deklaratë si të papërgjegjshme, të papranueshme dhe të rrezikshme. Akuza e tillë, e paprecedent ndaj një medie, nga një zyrtar i lartë i partisë në pushtet, jo vetëm që cenon lirinë e shtypit, por rrezikon edhe sigurinë e gazetarëve”.
AGK-ja i kishte bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që urgjentisht të sigurojë që përfaqësuesi i saj në KQZ të mos pengojë punën e gazetarëve dhe të përmbahet nga gjuha fyese dhe kërcënuese ndaj mediave.
“Sulmet verbale ndaj gazetarëve janë të papranueshme dhe cenojnë seriozisht lirinë e medias në Kosovë”.