Vjosa Osmani së bashku me Faton Pecin e Haxhi Avdylin ishin sot për vizitë në Prizren.
Deputeti Avdyli, me anë të një postimi në Facebook ka thënë se Osmani ka takuar një pjesë të veteranëve të Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në këtë qytet.
“Prizreni ishte e nderuar të vizitohej nga Presidentja në detyrë, Vjosa Osmani. Edhe pse me ftesa individuale, interesimi ishte tepër i madh që për shkak rregullave anti-COVID u deshtë të mbahen dy takime me 50 pjesëmarrës dhe disa takime grupore më të vogla.
U takuam me strukturën e veteranët e Degës së LDK-së që guxojnë të jetësojnë ndryshimin”, shkroi Avdyli.
“Takimi i dytë ishte me guximtarët e rinj, të cilët për t’ia kthyer shpresën vendit do guxojnë të angazhohen me konceptin politik të mbajtjes së fjalës. Faleminderit të gjithëve që po na besoni se ne nuk ua tjetërsojmë votën. Vazhdojmë..”, ka shkruar ai mes tjerash.
Pas shkarkimit nga LDK e cila kishte sloganin “Beso” në zgjedhjet e kaluara, Osmani për këto zgjedhje do garojë me listën e saj me sloganin “Guxo”.
Haxhi Avdyli është njëri nga deputetët e LDK-së, i cili i është bashkuar Osmanit në iniciativën e saj, ndërsa pranë saj po qëndron edhe shefi i stafit të presidencës, mitrovicasi Faton Peci.