Bedri Hamza, kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, janë duke zhvilluar një takim në këto momente.

Sipas burimeve të Infokusit, takimi mes dy liderëve opozitarë ka nisur para pak minutash në ambientet e Hotel “Sheraton” në lagjen “Marigona”. Të njëjtat burime konfirmojnë se Hamza dhe Abdixhiku kanë hyrë së bashku në ambientet e restorantit dhe takimi po mbahet në një dhomë private, larg syve të publikut.

Ky takim ka qenë i pritur dhe i paralajmëruar si një mundësi për diskutime rreth një koalicioni të mundshëm opozitar. Të dy liderët kanë deklaruar publikisht se nuk do të bashkëqeverisin me Albin Kurtin, ndërsa edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka përjashtuar një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura më 9 shkurt 2025, rezultatet përfundimtare nxorrën,

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me 42.30% të votave – ose 48 ulëse në Kuvend. Partia Demokratike e Kosovës (PDK): 20.95% të votave – 24 ulëse.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK): 18.27% të votave – 20 ulëse.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) – Nisma Socialdemokrate: 7.06% të votave – 8 ulëse.

Lista Serbe (SL): 4.26% të votave – 9 ulëse. Partitë e tjera minoritare: – 11 ulëse.

Duke qenë se asnjë parti nuk arriti shumicën absolute prej 61 ulëseve në Kuvend, LVV-së i duhet të formojë koalicion për të qeverisur. Megjithatë, meqenëse partitë opozitare kanë deklaruar se nuk do të bashkëpunojnë me LVV-në, po shqyrtohet mundësia e formimit të një blloku opozitar që mund të sfidojë qeverisjen aktuale.

Mbetet të shihet nëse ky takim mes Hamzës dhe Abdixhikut do të sjellë një marrëveshje konkrete për bashkëpunim politik. Infokusi do të vazhdojë të raportojë për zhvillimet e mëtejshme nga ky takim i rëndësishëm.

Related Posts