Remzie Mani është rrahur dhe është lidhur mbrëmë në shtëpinë e saj në Gjurgjedell të Kaçanikut, nga tre persona të panjohur, derisa nën kërcënimin e armës ia kanë vjedhur 55 mijë euro dhe telefonin.
Në një rrëfim për T7, 70-vjeçarja deklaron se paratë i ka ruajtur për ta blerë një banesë, ndërsa dhimbjet nga rrahja e mbrëmshme po i ndien edhe sot.
“Kanë hyrë tre persona, të maskuar e kanë thy derën, unë jam kanë fjet, ma kanë mëshu grusht me kanë lidhë, më kanë pyet ku i ke paratë, deri sa i kanë gjetë më kanë maltretu, paratë i kam ru me ble banesë, kryt edhe sot po me dhemb, shumë keq jam me shëndet, po më dhemb trupi në tana antë, ishalla policia i zen hajnat”, tha ajo për T7, transmeton Gazeta Express.
Hajnat kanë ikur nga vendi i ngjarjes, ndërsa për rastin është deklaruar edhe policia.
“Viktima femër kosovar e ka raportuar se tre te dyshuar të panjohur me forcë kane depërtuar ne shtëpinë e saj , e kane lidhur me lidhëse plastike , e kane sulmuar fizikisht dhe nën kërcënimin e armës se ftohtë e kane detyruar të tregon vendin e kasafortës”, bën të ditur Policia.
Të dyshuarit kanë ikur nga vendi i ngjarjes.
“Të dyshuarit kanë marrë kasafortën dhe janë larguar në drejtim të panjohur. Rasti nën hetime”, bën të ditur njoftimi i Policisë.