Një ngjarje e rëndë që tronditi opinionin publik në Kosovë mori epilogun e fundit sot, me varrimin e Bekim Varit, 37-vjeçarit nga Ferizaj, i cili u vra në mënyrë mizore dhe u gjet i groposur në një zonë të pyllëzuar në fshatin Manastirc.
Pas më shumë se gjashtë javësh nga zbulimi i trupit të tij, familja më në fund arriti ta përcillte Bekimin për në banesën e fundit. Dhimbja ishte e madhe për të afërmit, të cilët gjatë kësaj kohe përjetuan ankth e vuajtje të dyfishtë – humbjen tragjike dhe pritjen e gjatë për ta varrosur.
Sipas raportimeve, trupi i Bekimit u gjet më 5 shkurt, pasi ai ishte shpallur i zhdukur më 29 janar. I dyshuari kryesor për këtë krim është shoku i tij, Leutrim Fejza, i cili ndodhet në paraburgim dhe po përballet me akuzën për “Vrasje të rëndë”, sipas nenit 173 të Kodit Penal të Kosovës.
Pamjet e siguruara nga momentet e fundit të Bekimit tregojnë se ai ishte në një nga vilat e fshatit Manastirc, së bashku me të dyshuarin. Sipas Prokurorisë, besohet se vrasja ka ndodhur më 23 janar, ndërsa trupi i tij u gropos në një zonë të largët për të fshehur gjurmët e tij.
