Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot në Bruksel, mori pjesë një diskutim të organizuar nga Qendra për Studime të Politikave Evropiane (CEPS) në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bruksel, me temë “Rruga e Kosovës drejt BE-së: avancimi i demokracisë, siguria dhe rritja ekonomike”.
Kryeministri Kurti përgjatë fjalimin të tij dhe diskutimit theksoi se Kosova nuk ka plan B për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian, dhe se zgjerimi i Bashkimit Evropian duhet të jetë strategjik, i bazuar në merita dhe real.
Ai ritheksoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe NATO janë qëllime strategjike të vendit tonë. Nënvizoi faktin se Kosova mbetet plotësisht e linjëzuar me Politikën e Përbashkët të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri dhe vlerat e BE-së si pjesë e reformave të vazhdueshme, si dhe ka një kornizë ligjore moderne dhe të avancuar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, përfshirë atyre të pakicave.
“Ne jemi reformuar, forcuar dhe përafruar me standardet e Bashkimit Evropian”, u shpreh kryeministri, duke shtuar se Kosova ka treguar se është një partnere e besueshme e BE-së dhe beson fuqishëm në të ardhmen e saj evropiane, andaj është koha që BE-ja gjithashtu të tregojë se e sheh Kosovën si pjesë e të ardhmes së saj – gjë që do ta forconte edhe më shumë tej përkushtimin e vendit tonë ndaj agjendës evropiane.
Ky diskutim u moderua nga Dr. Tinatin Akhvlediani, hulumtuese në CEPS.