Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Ambasada gjermane deklaroi se pret gjithashtu “vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë me Kosovën dhe qeverinë e saj të ardhshme”, duke shtuar se do të vazhdojë të angazhohet në mënyrë aktive për integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike.
“Për ta arritur këtë, nevojitet besim i ndërsjellë dhe bashkëpunim i vazhdueshëm. Gjermania mbetet e bindur se qeveria e ardhshme do të forcojë koordinimin e ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe do të punojë për përparim të dukshëm në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, duke ndihmuar në realizimin, sa më shpejt, të perspektivës evropiane të Kosovës”, tha Ambasada gjermane.
Gjermania shtoi se afrimi i mëtejmë i Kosovës me BE-në është “qëllimi ynë i përbashkët, forcimi i demokracisë, sundimi i ligjit si dhe përparimi thelbësor në dialogun për normalizim me Serbinë, përfshirë zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe asaj të Ohrit me anekset përkatëse, janë çështje që duhen arritur”.
Ambasada britanike në Prishtinë deklaroi se shpreson që Qeveria e ardhshme e Kosovës të adresojë nevojat e të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe përparimin sa i përket integrimit të serbëve dhe angazhimin e fuqishëm në dialogun për normalizimin e raporteve me Serbinë.
“Mbretëria e Bashkuar e mbështet pa asnjë rezervë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe shpreson që ajo të mund t’i përmbushë sa më shpejt kërkesat e të tjerëve”, tha Ambasada britanike në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë.
Krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe ka qenë pengesa kryesore për Kosovën në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Qeveria Kurti ka qenë hezituese për formimin e Asociacionit, duke shprehur frikën se mund të minojë sovranitetin dhe funksionalitetin e shtetit të Kosovës.
Thirrje për përparim në dialog u bënë edhe në mbledhjen e 8 prillit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, kur Kosova dhe Serbia shkëmbyen akuza ndaj.
Kosova e akuzoi Serbinë për përpjekje të vazhdueshme për destabilizimin e demokracisë në vend, “jo vetëm përmes retorikës, por edhe përmes veprimeve konkrete dhe të dhunshme që rrezikojnë paqen dhe sigurinë në rajon”.
Ndërsa Serbia e akuzoi Kosovën se situata e serbëve në Kosovë po “përkeqësohet” pasi sipas saj, “është përshkallëzuar fushata për shkatërrimin sistematik të institucioneve serbe në gjithë Kosovën”.
Edhe shtetet aleate të Kosovës kanë qenë kritike ndaj Qeverisë së Kosovës për, siç kanë thënë, veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara në veri të vendit, ku autoritetet kanë mbyllur institucionet serbe.
Autoritetet e Kosovës filloi mbylljen e institucioneve serbe për Kosovën në fillim të vitit 2024, me arsyetimin se ato nuk kanë leje për të vepruar dhe se funksionimi i tyre është i paligjshëm.