Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, ka bërë homazhe në Reçak bashkë me Liderin e VV-së, Albin Kurtin, në 22 vjetorin e masakrës së tmerrshme.
Gjatë fjalimit, Osmani tha se Reçaku është dëshmi autentike e gjenocidit serb në Kosovë.
“Sot janë bërë 22 vjet nga masakra më e tmerrshme jo vetëm në historinë e Kosovës por në historinë e gjithë njerëzimit. Reçaku është dëshmi autentike e gjenocidit serb në Kosovë. Vendi ku u dëshmua qëllimi i Serbisë për shfarosjen e popullit shqiptar”.
“Nga këtu, duke nderuar të gjithë dëshmorët anë e kënd Kosovës, me zë të lartë duhet të kërkojmë drejtësi për të gjithë ata që ishin viktima civile por edhe të gjithë të tjerët që ranë për ta gëzuar ne lirinë e vendit tonë”.
Ndër të tjerash, Osmani tha se kurrë nuk është vonë të flitet për këto krime çdo kund në botë dhe të kërkohet që bota t’i kthejë sytë nga këto dëshmitë e qarta
“Dëshmitë e gjenocidit serb i gjejmë anë e kënd vendit tonë. Kurrë nuk është vonë të flasim për këto krime çdo kund në botë, të kërkojmë që bota t’i kthejë sytë nga këto dëshmitë e qarta që tregojnë se si shqiptarët luftuan për pragun e shtëpisë e Serbia udhëhoqi gjithë atë luftë duke mos kërkuar falje dhe duke mos lejuar drejtësi për këto krime. Lavdi dhe përkujtim i përjetshëm për të gjithë të rënët në Reçak dhe anë e kënd Kosovës”.