Maqedonia e Veriut ka regjistruar disa mutacione të koronavirusit, por që nuk janë të ngjashëm me variantin e ri të virusit që është paraqitur në Britani të Madhe.
Kjo u njoftua nga Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, i cili theksoi se format e reja të diktuara nga laboratorët e Akademisë së Shkencave nuk paraqesin rrezik shtesë për qytetarët dhe institucionet shëndetësore.
“Që prej verës tek ne janë zbuluar gjashtë apo shtatë mutacione gjenetike në Laboratorin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë së Veriut. Nuk janë të ngjashëm me variantin e ri të koronavirusit të ri në Britani të Madhe”, theksoi Filipce.Ministri i Shëndetësisë theksoi se vaksinat e para anti COVID-19 pritet të arrijnë në Maqedoninë e Veriut pas dy javësh ndërsa u shpreh i bindur se pas muajit shkurt do të ketë normalizim sa i përket furnizimit.
“Vaksinat tani më janë rezervuar për vendin tonë dhe bazuar në dinamikën e shpërndarjes presim që dozat e para të arrijnë në shkurt. Sipas planit të kompanisë Pfizer, me rritjen e kapaciteteve të tyre prodhuese dhe të kompanive tjera që janë pjesë të programit “COVAX” unë besoj se pas muajit shkurt do të kemi një proces të shpërndarjes gjithkund dhe me një dinamikë të vazhdueshme”, deklaroi Filipçe, që njoftoi gjithashtu lehtësimin e masave shtrënguese pas 21 janarit./TCH