Një kosovar është ndaluar në vendkalimin kufitar Bllacë e Poshtme, në hyrje të Maqedonisë së Veriut, si i dyshuar për dhënie ryshfeti.
I dyshuari është SH.B. 51-vjeçar, i cili u fut në telashe pasi vendosi t’i korruptojë policët me 10 euro.
Kështu ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut.
“Më datë 15.04.2025 rreth orës 19.30 në vendkalimin kufitar Bllacë e Poshtme, në hyrje të vendit, nëpunës policorë kanë privuar nga liria personin Sh.B. (51) nga Kosova për shkak të ekzistimit të shkaqeve të dyshimit për kryerjen e veprës penale “dhënia e ryshfetit” nga neni 358 paragrafi 1 i Kodit Penal. Gjegjësisht, gjatë kontrollit kufitar, ai ka paraqitur dokumente për veturën e tipit Volkswagen Golf me targa nacionale të Kosovës, të cilën e ka vozitur dhe në pasaportën e tij ka vendosur një kartëmonedhë prej 10 eurosh. Është njoftuar prokurori publik dhe pas dokumentimit të plotë të rastit do të ngrihet kallëzim përkatës.” – njoftoi MPV.