Katër ekipe kanë mbetur në garë në Ligën e Kampionëve dhe secila e ka rastin për ta fituar trofeun e çmuar evropian. Arsenali takohet me Paris Saint-Germainin në gjysmëfinalen e ekipeve që asnjëherë nuk e kanë fituar trofeun ikonik. Barcelona dhe Interi së bashku kanë tetë tituj evropianë, por së fundmi kanë triumfuar para dhjetë, përkatësisht 15 vjetësh.
Arsenali e pret Paris Saint-Germainin më 29 prill në Londër, aty ku kampioni në fuqi, Real Madridi, humbi 3:0 javën e kaluar në ndeshjen e parë çerekfinale. PSG-ja është nikoqire e ndeshjes së dytë më 7 maj në “Parkun e Princave”, arenën ku u zhvilluan tri finale, përfshirë edhe Kupën Evropiane të vitit 1956 që ishte inauguruese.
Pesë herë fituesja e Championsit, Barcelona, luan në shtëpi në ndeshjen e parë më 30 prill, në stadiumin e Lojërave Olimpike 1992. Interi luan para tifozëve të vet në ndeshjen kthyese më 6 maj në “San Siro”.
Fituesit luajnë në Munih më 31 maj për titullin më të lakmuar në nivel klubesh dhe më të vështirin për ta fituar.
Arsenali
Ekipi i drejtuar nga Mikel Arteta ka qenë solid gjatë gjithë edicionit, edhe kur është përballur me PSG-në dhe Interin në fazën e ligës. Arsenali përfundoi i treti me gjashtë fitore – përfshirë atë 2:0 ndaj PSG-së në Londër – dhe një barazim. Humbjen e vetme e pësoi nga Interi, 1:0.
Me lehtësi e kaloi fazën e 1/8 së finales pasi fitoi 7:1 në ndeshjen e parë ndaj PSV Eindhovenit. Arsenali më pas shkëlqeu me fitoren 3:0 në shtëpi ndaj Real Madridit në çerekfinale dhe e përfundoi punën të mërkurën në Madrid, duke fituar 2:1.
Arsenali është i dyti në Premier League por shumë larg liderit Liverpoolit. Kështu, mundësinë e vetme për ta mbyllur me trofe edicionin aktual e ka në Ligën e Kampionëve.
Paris Saint-Germaini
PSG-ja ishte në rrezik për t’u eliminuar nga faza e ligës, por kampanja mori kthesë të madhe në raundin e parafundit të fazës së ligës. Përmbysi rezultatin ndaj Manchester Cityt. Nga rezultati 2:0, fitoi 4:2 ndaj Cityt.
Për fazën nokaut, PSG-së nga Napoli iu bashkua Khvicha Kvaratskhelia. Bresti u demolua 10:0 në plejof dhe ishte pikërisht gjeorgjiani që shkëlqeu në një të tetën e finales ndaj Liverpoolit. PSG-ja dhe Liverpooli i fituan ndeshjet në udhëtim me rezultatin 1:0. Penalltitë në “Anfield” ishin vendimtar për avancim tutje, ndërsa portieri i parisienëve Gianluigi Donnarumma, pati dy pritje.
Vizita e tretë e PSG-së në Angli këtë sezon ishte këtë javë në humbjen 3:2 nga Aston Villa. Donnarumma nuk lejoi pranimin e golit të katërt që do të çonte ndeshjen në vazhdime. PSG-ja avancoi falë fitores 3:1 në shtëpi javën e kaluar.
PSG-ja tashmë e ka fituar titullin në Ligue 1. Tani shpreson ta fitojë Championsin, të cilin që nuk është fituar edhe kur udhëhiqej në fushë nga ylli francez Kylian Mbappe.
Barcelona
Barcelona i ka fituar katër nga pesë titujt evropianë përgjatë nëntë vjetëve, prej vitit 2006 deri në vitin 2015. Së fundmi udhëhiqej nga Lionel Messi dhe nuk ka avancuar në finale që prej asaj kohe.
Ekipi i ka shënuar 28 gola në fazën e ligës dhe i shtoi nëntë të tjerë në ndeshjet e fazës nokaut. Robert Lewandowski, ende shumë i rrezikshëm në moshën 36-vjeçare, ka shënuar 11 gola, një më pak se bashkëlojtari i tij, Raphinha. Lamine Yamal, jashtëzakonisht i mirë për moshën 17-vjeçare, ka realizuar katër gola dhe tri asistime.
Barcelona e nisi me humbje kampanjën në Ligën e Kampionëve nën drejtimin e trajnerit Hansi Flick, duke u mposhtur 2:1 në udhëtim te Monaco. Por më pas nuk është mposhtur në fazën e ligës. Fitoi 4:1 ndaj Bayern Munichut – skuadrës me të cilën Flick e fitoi Championsin në vitin 2020, 3:2 e mposhti Borussia Dortmundin, dhe 5:4 skuadrën e Benficas.
Në fazën nokaut, Barcelona e mposhti Benfican edhe dy herë të tjera, dhe u takua me Dortmundin sërish në çerekfinale. Fitorja 4:0 në shtëpi i lejoi luksin ekipit që të mposhtej 3:1 në ndeshjen kthyese.
Barcelona, njësoj si Interi, duhet që të përgatitet për gjysmëfinale duke e mbajtur edhe vendin e parë në garën për titull në ligë, dhe duke luftuar për trofeun e Kupës.
Interi
Mbrojtja më e fortë për t’u thyer është ajo e tri herë kampionit evropian, me vetëm një gol të pranuar gjatë fazës së ligës.
Kjo nisi prej ndeshjes së parë, që ishte përsëritje e finales 2023. Barazimi 0:0 në udhëtim te Manchester City ishte impresiv në muajin shtator, para se shkëlqimi i kampionit anglez të zbehej.
Seria e fitoreve 1:0 u ndal pas disfatës me të njëjtin rezultat në udhëtim te Bayer Leverkuseni, me golin e minutës së 90-të që e shënoi Nordi Mukiele. Ishte i vetmi që e mposhti portierin Yann Sommer, deri kur Feyenoordi realizoi penallti në ndeshjen kthyese të një të tetës së finales.
Interi impresionoi me fitore 2:1 në udhëtim te Bayerni në javën e kaluar në ndeshjen e parë të çerekfinales. Në ndeshjen kthyese u kundërpërgjigj shpejt pasi Harry Kane realizoi për epërsinë 1:0 në “San Siro”. Rezultati u barazua nga Lautaro Martinez, ylli i Interit që ka tetë gola në Ligën e Kampionëve.
Interi e eliminoi Barcelonën në gjysmëfinale kur e fitoi trofeun e Ligës së Kampionëve në vitin 2010.