Në ambientet e Prokurorisë së Durrësit, drejtuesja Suela Beluli, zhvilloi të premten një takim pune me kreun e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani.

Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të lartë të Policisë së Durrësit dhe prokurorë, oficerë të caktuar në Seksionin e Posaçëm të Përkohshëm Kundër Krimit Zgjedhor të Prokurorisë Durrës.

Ky takim, u organizua në kuadër të Marrëveshjes së Bashkëpunimit mes Prokurorit të Përgjithshëm dhe Drejtuesit të SPAK-ut “mbi komunikimin e ndërsjellë efikas dhe bashkëpunimin reciprok lidhur me hetimet mbi vepra penale gjatë periudhës zgjedhore”.

Palët diskutuan rëndësinë e reagimit të shpejtë, koordinimit efektiv dhe ndarjes së informacionit ndërmjet institucioneve, me qëllim identifikimin dhe ndjekjen penale të çdo veprimi që cenon integritetin e votës së lirë të qytetarëve, vëren njoftimi zyrtar i Prokurorisë.

Në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit, prokurorëve dhe hetuesve të SPAK-ut do t’u vihen në dispozicion ambiente në Prokurorinë e Durrësit.

Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit do të jenë të pranishëm në terren dhe të gatshëm për të marrë çdo kallëzim apo informacion nga qytetarët në lidhje me veprimtari të dyshuara penale që lidhen me zgjedhjet.

Sipas Prokurorisë, prania e hetuesve është një garanci shtesë për transparencën dhe seriozitetin me të cilin institucionet po e trajtojnë këtë proces, ndaj “inkurajon çdo qytetar që të bashkëpunojë dhe të raportojë çdo përpjekje që synon të cenojë votën e lirë”.

Prokuroria e Durrësit në përmbyllje riafirmoi angazhimin e saj për të bashkëpunuar ngushtësisht me të gjitha institucionet ligjzbatuese dhe për të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm ligjor për të mbrojtur të drejtën e votës dhe integritetin e procesit zgjedhor.

Related Posts