Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës, përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se ditën e nesërme do t’i kthehen shkollave.
Megjithatë, nga kjo Sindikatë edhe njëherë i është kërkuar Qeverisë që javën e ardhshme të reflejtoj sa i përket kërkesave të tyre për shtesa në paga.
Nëse një gjë e tillë nuk ndodhë, atëherë nga SBASHK-u kanë paralajmëruar greva.
Njoftimi i plotë:
SBASHK- Urime, më 18 janar i kthehemi shkollave, por…
Këshilli Drejtues i SBASHK-ut bashkë me kryetarët e nivelit komunal sindikal dhe të Universiteteve në komunikim të vazhdueshëm ka analizuar situatën aktuale në arsim dhe kërkesat legjitime të anëtarësisë për të cilat ka autorizuar Kryesinë e Kryetarin e SBASHK-ut që të vazhdojnë dialogun me institucionet për të arritur te zgjidhja meritore.
SBASHK uron nxënësit dhe punëtorët e arsimit për fillimin më 18 janar të periudhës së dytë të mësimit në shkollat fillore e të mesme të Kosovës, por apelon te Qeveria Hoti dhe Ministri Likaj që javën e ardhshme të reflekton dhe në takime me përfaqësues të SBASHK-ut të gjejnë zgjidhje për kërkesën e një shtese në paga për arsye të rrezikut nga Covid-19 dhe të nënshkruhet Kontrata e re Kolektive e Arsimit të Kosovës.
SBASHK-u përkrah rifillimin e procesit mësimor më 18 janar, por kujton se nëse institucionet nuk reflektojnë atëherë Kryesia edhe kryetari i SBASHK-ut kanë autorizimin e Këshillit Drejtues që të shpallin veprime sindikale, duke mos përjashtuar edhe grevën e përgjithshme në tërë sektorin e arsimit.
SBASHK-u po jep hapësirë dialogut, por nëse pala tjetër nuk vepron njëjtë, atëherë përgjegjësinë për grevat dhe pasojat që sjell ajo do t’i bartin institucionet