Avni Rustemi vdiq pas një atentati në Tiranë. Atij i bëhet atentat më 20 prill pranë Pazarit të Ri, por vdes dy ditë më vonë, më 22 prill 1924.
U lind në Libohovë, në një familje atdhetare. I ati ishte Qehaja i familjes së Arsllan-Pashalinjve, oxhakut të Libohovës.
Mësimet e para i mori në vendlindje, më pas vazhdoi Normalen e Elbasanit dhe pastaj kolegjin e Shën Mitër Korone në Itali, kurse studimet e larta për pedagogji i filloi në Universitetin e Romës, raporton KosovaPress.
Më 1908 braktisi bankat e shkollës për t’u bashkuar me çetën e Çerçiz Topullit. Më 1910 tentoi për të vrarë në Shkodër komandantin e ekspeditës ushtarake osmane, gjeneral Shefqet Turgut pashën. Më 1914 u radhit në forcat shqiptare për çlirimin e Shqipërisë së Jugut nga pushtimi i forcave greke.
Në pranverë të vitit 1919 në Shën Mitër krijoi “Lidhjen e Rinisë Shqiptare”, për mbrojtjen e të drejtave kombëtare kurse më 13 qershor 1920 vrau me atentat në Paris, Esat Pashë Toptanin.
Gazeta e njohur franceze “Le Meiroir”, më datë 20 qershor 1920 publikoi një fotografi të panjohur deri me sot të Avni Rustemit. Në foto, ai shihet i torturuar barbarisht nga policia franceze pasi kishte kryer atentat ndaj Esat Pashë Toptanit në Paris. Megjithatë, Avni Rustemi u lirua pas vetëm 6 muajve.
Me rikthimin e Avni Rustemit në Shqipëri, veprimtaria e tij politike vjen duke u intensifikuar. Pikërisht, më dhjetor 1920 ai filloi punën për bashkimin e shoqërive demokratike ekzistuese në një organizatë të vetme. Kongresi i mbajtur më 25 prill 1921 në Vlorë krijoi një shoqëri, që mori emrin federata “Atdheu”. Kryetar nderi i saj u zgjodh Avni Rustemi.