Ministria e Jashtme ruse kërcënon Shqipërinë pas dëbimit të diplomatit rus nga vendi. Zv. ministri i Jashtëm Aleksandër Grushko tha për mediat ruse ky është një provokim i qartë që nuk do të mbetet pa përgjigje.
“Ky është një provokim i qartë që synon përkeqësimin e marrëdhënieve ruso-shqiptare dhe, natyrisht, ky hap jo miqësor nuk do të mbetet pa përgjigje,” tha Aleksandër Grushko zv. Ministri i Jashtëm rus për Sputnik.
Shqipëria shpalli sot “non grata” dhe dëboi diplomatin rus, Alexey Krivosheev. Abcnews.al mësoi se ai kishte shkelur në mënyrë të vazhdueshme karantinën gjatë muajit prill duke lëvizur jashtë orarit të lejuar. E njëjta praktikë është ndjekur vazhdimisht nga diplomati rus edhe pse qeveria shqiptare kishte ndaluar lëvizjet.
Po ashtu, diplomati rus dilte pa maskë në ambiente publike. Një fakt i tillë është konsideruar i papranueshëm për autoritetet shqiptare duke marrë masën ekstreme, shpalljen “non grata” dhe kërkesën që të largohet për 72 orë nga Shqipëria./abcnews.al