Tre kandidatët e nominuar për kryeministër, që dhe më parë kanë mbajtur poste të larta publike i kanë të “hapur letrat” për pasurinë e tyre pranë Agjencisë Kundër Korrupsion (AKK).
Nga regjistrat e AKK-së, mësohet se kandidatët për kryeministër kanë më shumë se një burim të të ardhurave. Të ardhura realizojnë edhe bashkëshortët e tyre.
Përderisa kandidati PDK-së, Enver Hoxhaj deklaron se pasuria e paluajtshme është e tija, deklaruesit, ndryshe deklaron kandidati tjetër nga LDK për pasurinë e vet. Hoti tregon se prona e paluajtshme është në emër të përbashkëa ndërsa thotë se ka hyrë edhe në borxhe e kredi për blerje të truallit dhe banesës. Në anën tjetër, në banesë me qira jeton kandidati nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti. Kurti në regjistrin e pasurisë gjithashtu deklaron se bashkëshortja e tij ka blerë apartament dhe ka detyrime ndaj bankës në Oslo të Norvegjisë.
Tre kandidatët zyrtarisht të nominuar nga partitë e tyre për të parin e Qeverisë, janë Enver Hoxhaj nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje si dhe Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Enver Hoxhaj
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, pranë Agjensionit Kundër Korrupsion (AKK), ka deklaruar se ka mbi 409 mijë euro pasuri të pa luajtshme ndërsa ka deklaruar se nuk ka fare pasuri të luajtshme pasi veturën që e kishte, tregon se e ka shitur në çmim prej 7,500 euro.
“Shitja e veturës ne vlerë prej 7500.00euro“, kishte deklaruar Hoxhaj.
Ndërsa, para të gatshme Hoxhaj kishte deklaruar se ka 7,208 euro.
Hoxha ka deklaruar se nuk ka fare borxhe ndaj personave juridik dhe fizik. Në anën tjetër të hyrat vjetore të kandidatit për kryeministër të PDK-së, kalojnë 36,600 euro nga Buxheti I Kosovës si dhe ligjëratat e realizuara në ShBA.
Në të ardhura, Hoxhajt i ndihmon edhe bashkëshortja e tij, pasi ajo realizon të hyra vjetore prej 14,971 euro nga puna e saj në Universitetin e Prishtinës.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), me datën 23 dhjetor 2020, nominoi kandidaturën e Enver Hoxhaj për kryeministër të Kosovës. Enver Hoxhaj i cili ushtron detyrën e kryetarit të këtij subjekti politik.
Albin Kurti
Për dallim nga Hoxhaj i PDK-së, kundër kandidati tjetër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk ka pasuri të paluajtshme tijën ndërsa bashkëshortja e tij e ka një apartament të blerë në vlerë prej 400 mijë euro.
Në regjistrin e AKK-së, Kurti ka deklaruar se para të gatshme së bashku me bashkëshorten kanë rreth 10,585 euro ku vetëm të tijat janë 934.38 euro ndërsa tjerat të bashkëshortes së tij.
Kandidati për kryeministër Kurti, ka deklaruar se nuk ka borxhe ndërsa bashkëshortja e tij ka detyrime ndaj një banke në Norvegji, në vlerë prej 242,224.83 euro për blerjen e apartamentit.
Të hyrat vjetore të Kurtit, në regjistrin e AKK-së, thuhet se ishin në vlerën 19,040 euro, të hyra këto të realizuara me burim Kuvendin e Kosovës. Më pas tregon se edhe për pagën me emërimin e tij si Kryeministër .
“Jetoj në apartament me qira. Marrjen e detyrës si Kryeministër i Republikës së Kosovës e kam pranuar me datën 04 shkurt 2020, paga mujore e kësaj pozite është 1,443.20 €.”, kishte sqaruar Kurti në regjistrin e deklarimit të pasurisë .
Në anën tjetër edhe bashkëshortja e tij, realizon të hyra vjetore 46,990 nga shteti tjetër.
Me datën 14 të muajit janar, saktësisht një muaj nga dita e paraparë për zgjedhje, Këshilli i Përgjithshëm vendosi edhe zyrtarisht Kurtin si kandidat për kryeministër.
Avdullah Hoti
Avdullah Hoti, kandidati tjetër për kryeministër nga radhët e subjektit politik Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Edhe Hoti e kishte kryer obligimi e tij ligjor për deklarimin e pasurisë në AKK me marrje e mandatit të zëvendëskryeministrit.
Në bazë të regjistrit të AKK-së, kandidati Hoti ka deklaruar se posedon pasuri të paluajtshme të përbashkët në vlerë prej 233 mijë euro, përderisa ka treguar se nuk ka fare pasuri të luajtshme ndërsa para të gatshme të cilat i mbanë në institucione financiare janë gjithsej rreth 6,517 euro, ku pjesa më e madhe e këtyre mjeteve janë të deklaruesit, ndërsa pjesa tjetër të bashkëshortes dhe fëmijëve.
Hoti ka deklaruar se i ka 5,000 euro borxh të përbashkët me familjarët ndaj një personi ndërsa thuhet se nuk ka afat se kur duhet të ja kthej huazimin.
Tutje thuhet se Hoti detyrime të përbashkëta kanë edhe ndaj në bankës për blerjen e banesës. Kredi kjo në vlerë 16,325.23 euro.
Kryeministri në detyrë dhe njëherësh kandidat për kryeministër Avdullah Hoti ka deklaruar realizon të ardhura rreth 42 mijë euro apo saktësisht 41,979 euro.
Në bazë të regjistrit të AKK-së, Hoti gëzon më shumë se një burim të të ardhurave. Hoti tregon se realizon të ardhura nga Kuvendi i Kosovës, pagë sekondare nga Universiteti i Prishtinës, angazhimi në kolegje private dhe qiraja e banesës.
Në regjistrin AKK-së, Hoti ka dhënë disa sqarimin lidhur me të ardhurat e tij
“Paga neto nga Kuvendi i Kosovës për 2019 (përfshire pagën, shtesat për funksionin si Kryetar i Grupit Parlamentar të LDK-se dhe shtesat tjera për komisione dhe seanca. Meditje nga Kuvendi i Kosovës gjatë vitit 2019, për udhëtime zyrtare si deputet. Page sekondare (neto) nga UP për 2019, (ndryshimi për vitin paraprak është për shkak të numrit të studenteve ne provime dhe monitorim te temave. Te hyrat nga qiraja per vitin 2019, bazuar ne kontarten e qiardhenies.“, kishte sqaruar Hoti.
Ndërsa edhe bashkëshortja e tij, realizon të hyra vjetore rreth 6,812 euro pasi që punon në Këshillin Gjyqësor i Kosovës (KGJK).
Këshilli i përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës( LDK,) në ditën e fundit të vitit 2020, saktësisht me 31 dhjetor 2020, në mbledhjen e mbajtur caktoi Avdullah Hotin kandidat për kryeministër.
Ditë më parë, KALLXO.com ka analizuar edhe “fuqinë e votave” të kandidatëve pretendentë për kryeministër, në komunat prej nga vijnë.
Në zgjedhjet e fundit për Kuvendin e Kosovës, vitin 2019, për dallim nga Albin kurti dhe subjekti i tij politik që morën më shumë vota në kryeqytet, kandidatët tjerë që tashmë janë të nominuar për kryeministër, nuk arritën të marrin më të mirën e votave nga komunat e tyre. Për shembull, në Suharekën e Enver Hoxhajt të PDK-së, partia e parë doli LDK e Avdullah Hotit, ndërsa në Rahovecin Avdullah Hotit partia e parë doli AAK e Ramush Haradinajt në koalicion me PSD-në.
Ndryshe, në nivel të Kosovës kryeministri në detyrë ishte kandidat i LDK-së edhe në zgjedhjet e vitit 2017. Atë kohë, Hoti i mori plotë 115 mijë e 693 vota. Por, në zgjedhjet e vitit 2019 Avdullah Hoti mori vetëm 26 mijë e 94 vota.
Hoxhaj në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2017 kishte 24 mijë e 396 vota. Por, më pak vota mori ai në zgjedhjet e fundit më 6 tetor të 2019-ës, vetëm 11 mijë e 52 vota.
Në dy palë zgjedhje, në vitin 2019 dhe 2017, i pari i LVV-së, Albin Kurti ka pasur rritje të votave. Kështu, Kurti në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 mblodhi plotë 143 mijë e 621 vota. Lideri i Vetëvendosjes rriti edhe më tej numrin e votave në zgjedhjet e fundit ku edhe doli fitues. Në vitin 2019, Albin Kurti kishte 183 mijë e 952 vota.