Ushtruesja e detyrës së presidentit, kandidate për deputete në listën e Vetëvendosjes, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar se do të marr masa ndaj KQZ-së, në mënyrë që, siç thotë Osmani, ta mbrojë integritetin e këtij institucioni.
“Para syve të të gjithë qytetarëve të Kosovës, në transmetim të drejtpërdrejt në televizion, dje u bë presion marramendës ndaj zyrës për regjistrimin e partive politike dhe certifikim, si dhe u tolerua dhe u ushtrua presion dhe kërcënime ndaj udhëheqësit të kësaj zyre e cila vepron si e pavarur politikisht dhe rekomandimet e së cilës i drejtohen KQZ-së për vendime kolegjiale……Ajo çfarë ka ngjarë dje e ka lënduar procesin zgjedhor dhe integritetin e KQZ-së, por e kemi detyrë që me çdokusht ta shpejtojmë këtë proces. Prandaj në asnjë moment dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të lejojmë që të bimë në kurthet që ndërtohen me qëllim që ky proces zgjedhor të parandalohet e të stërzgjatet. Zgjedhjet duhet dhe do të mbahen më 14 shkurt dhe qytetarët duhet të lejohen të realizojnë të drejtën e tyre kushtetuese e të votojnë për këdo që ata e përkrahin“, tha Osmani.
“Në rast se ballafaqohemi sërish me situata të tilla si ajo e djeshmja, ku abuzohet me KQZ-në si institucion i pavarur për të shtyrë përpara agjenda partiake, si dhe forum ku ushtrohet presion mbi shërbyesit civil, do të detyrohem të ndërmarrë të gjitha masat për mbrojtjen e integritetit të KQZ-së dhe të këtij procesi zgjedhor, ashtu siç e parasheh ligji për zgjedhjet e përgjithshme dhe ashtu siç më detyron Kushtetuta e vendit. Mbajtja e zgjedhjeve të lira është parakusht i funksionimit demokratik të një vendi, prandaj këtë test të demokracisë duhet ta kalojmë të gjithë së bashku me besim e maturi“, shtoi Vjosa Osmani.
E sipas analistit politik, Faton Mehmeti, Vjosa Osmani përfundimisht do ta shkarkoj Valdete Dakën nga pozita e kryetares së KQZ-së.
“Duket se Vjosa do të shkarkojë Valdetën, kështu la të kuptohet në adresimin e sotëm që dha. Vjosa i druhet komplikimeve që mund të sjell KQZ pas zgjedhjeve, duke qenë se qysh tani vetëm sa kanë filluar të shfaqën polarizimet e thella brenda KQZ, me zonjën Daka që po merr anë”, shprehet Mehmeti për “Bota sot”.
Sipas tij, javën në vijim priten zhvillime dramatike dhe tensionim të situatës në KQZ.
“Shoh si një situatë të tensionuar brenda KQZ edhe në ditët në vijim, dhe me komplikimet që mund të vijnë pastaj. Me këto përplasje brenda KQZ edhe procesi i zgjedhjeve mund të jetë e problem, dhe gjasat që të ketë edhe keqpërdorime të mëdha të votave mund të jetë i lartë. Pritet që këtë javë të ketë situatë dramtike në KQZ, e të cilat mund të shkaktojnë tensione nga edhe në krejt procesin zgjedhor. Besoj e Vjosa do e shkarkoj Valdete Dakën, dhe ky duket se është i pashmangshëm”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Faton Mehmeti