Pjesëmarrja e njoftuar e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në paradën ushtarake në Moskë, më 9 Maj, mund të ketë pasoja në rrugën evropiane të shtetit të tij.

Sipas Bashkimit Evropian, ky është paralajmërimi që komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, ia përcolli presidentit të Serbisë të martën, në një takimin në Beograd.

“Ajo, po ashtu, risiguroi se që do të mbështesë popullin serb në aspiratat e tyre për anëtarësim në BE, por pjesëmarrja e presidentit Vuçiq në paradën ushtarake në Moskë do të ndikojë këtë zotim”, ka deklaruar Guillaume Mercier, zëdhënës i BE-së.

Qëndrimi i palëkundur i Vuçiqit për të marrë pjesë në atë që në Rusi njihet si Dita e Fitores, sipas BE-së, krijon nevojën që shteti ballkanik të dëshmojë me veprime konkrete orientimin e saj strategjik.

“Pjesëmarrja në Moskë do të ketë ndikim në rrugën drejt BE-së, që do të thotë diskutimet për reforma dhe hapat e radhës. Ne kemi qenë mjaft të qartë, nga ky podium, kur bëhet fjalë për drejtimin e Serbisë dhe pozicionin në këtë konteskt, Serbia ka aplikuar dhe është duke negociuar për anëtarësim në BE. Ne presim që Serbia të jetë partner i besueshëm. Duhet të respektojmë parime tona, vlerat tona, sigurinë dhe prosperitetin dhe vërtetë na duhet që Serbia të na ri-sigurojë neve për drejtimin e saj strategjik. Qëndrimi ynë ishte i qartë nga fillimi, marrëdhëniet me Rusinë nuk mund të jenë punë e zakonshme”, ka deklaruar Mercier.

Në Beograd, komisionerja Kos takoi edhe kryeministrin e Serbisë, Gjuro Macut, dhe pjesëtarë të shoqërisë civile. Ndërsa bëri homazhe në stacionin e trenave në Novi Sad.

Related Posts