Pas vrasjes së Muhamedit, familja Lika nuk jeton më në banesën ku kishin jetuar për disa vite.
Por në hapësirat e kësaj ndërtese dhe banorëve të saj, ka shumë kujtime.
Një fqinje që nuk ka dashur t’i zbulohet identiteti, ka thënë për MAT se të ndjerin dhe gruan e tij i kishin fqinj të mirë.
“Kurrë kojshi më të mirë s’kemi pas. Unë jetoj këtu qe 19 vjet. Ata kanë ardhë këtu qe disa vjet, s’jam e sigurt. Me qira janë kanë. Kojshi të mirë, njeri i sjellshëm”, tha fqinja e familjes Lika në
Kaçanik.
Një tjetër tregon se përveç Muhamedit, edhe gruaja e tij ishte pozitive dhe e dashur.
“Edhe ajo një grua shumë e mirë. Janë kanë njerëz shumë të kulturuar, njerëz shumë të mirë, ky nuk o kanë një polic agresiv ose diçka, gjithmonë sa herë që i ke pa, shumë të buzëqeshur, njerëz të mirë, i dashur edhe me fëmijë, edhe me krejt”.
Përveç kujtimeve të mira, banorëve të rrugës “Idriz Seferi” në Kaçanik, kujtim i pashlyeshëm do t’u mbetet ai i natës së 1 prillit kur rreshteri i policisë, Muhamed Lika u vra, deri sa po ngjitej shkallëve të ndërtesës, për të arritur në katin e pestë, pasi kishte përfunduar punën në ndërrimin e pasdites.
“Po, këtu, se dëgjohet, çfarë krisme.. çfarë oshtime. Fmitë m’u kanë frikësu shumë edhe veç e kam mshelë derën me çelës edhe ma s’kemi guxu me dalë. Çika e madhe tek dje ka mujt me dalë lirshëm pasi e kanë arrestu atë”, tha një fqinje e familjes Lika.
“Jena tronditë, se kur ka britë…as nuk guxojmë me i lanë vet fëmijët, as nuk shkojnë vet në shkollë, duhet dikush me i çu e me i marrë”, shtoi ajo.